Trazirat në Capitol katër vite më parë, i dënuari i kujton Trump premtimin: Më liro, jam i pafajshëm!

06/11/2024 20:53

Efekti i fitores së Donald Trump në zgjedhje po ndihet tashmë në Uashington, DC, ku disa të akuzuar për trazirat në Capitol më 6 janar 2021 mund të amnistohen së shpejti nga presidenti i ardhshëm, i cili ka premtuar diçka të tillë.

Një i përfshirë në trazira nuk e humbi kohën për të përmendur fitoren e Trump, duke u munduar të shtyjë një seancë për rastin e tij, duke thënë se ai pret të marrë falje.

“Gjatë fushatës së tij, presidenti i zgjedhur Trump bëri disa premtime për falje për të akuzuarit e 6 janarit, veçanërisht për ata që ishin pjesëmarrës, jo dhunues”, shkruanin avokatët e Christopher Carnell në një dosje gjyqësore të mërkurën. “Zoti Carnell, i cili ishte një i ri 18 vjeç që hyri në Capitol në 6 janar pa përdorur dhunë, pret që të lirohet nga ndjekja penale që po përballet tani kur administrata e re të marrë detyrën.”

Carnell u dënua për të gjitha shtatë akuzat ndaj tij, përfshirë sjellje të turbullt në një ndërtesë të kufizuar. Ai është një nga më shumë se 1,500 të akuzuar për trazirat në Capitol. Më shumë se 1,000 prej tyre janë dënuar.

Siç shkruajnë avokatët e tij, Carnell tani është në pritje të informacionit më të detajuar nga Zyra e Presidentit të zgjedhur në lidhje me kohën dhe fushën e mundshme të veprimeve të faljes që i përkasin rastit të tij.

Gjyqtari federal Beryl Howell e hodhi shpejt poshtë kërkesën në një urdhër të shkurtër të mërkurën, duke i thënë Carnell-it se seanca do të mbahet siç ishte planifikuar të premten.

Trump ka thënë më parë se do të falë të akuzuarit e 6 janarit, duke thënë: “Nëse ata janë të pafajshëm, unë do t’i fal”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA