Adrian Cani është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg pasi është shpallur fajtor për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksion publike”, pas denoncimit të “Fiks Fare”.
Sipas njoftimit të Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, Cani u dënua fillimisht me 2 vite e 3 muaj burg, por përfitoi ulje dënimi, ku si përfundim do të shlyejë 1 vit e 6 muaj burg.
Dikur Cani ishte ish-drejtor gjimnazi në qytetin e Peqinit, dhe më pasi u emërua si mësues në shkollën 9 vjeçare. Adrian Cani njëkohësisht është pedagog i jashtëm në një universitet privat në kryeqytet, por edhe nënkryetar i Partisë Demokratike në Peqin.
NJOFTIM PËR MEDIAT
- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin për gjykim të çështjes që i përket procedimit penal nr. 74 të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit Adrian Cani, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i katërt i Kodit Penal”.
- Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flojera Davidhi dhe Ardit Mustafaj, me vendimin Nr. 63, datë 25.10.2024 vendosi:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Adrian Mustafa Cani, për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i katërt i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2(dy) vite e 3 (tre) muaj burgim.
- Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Adrian Mustafa Cani, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
- Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënien në provë për të pandehurin Adrian Mustafa Cani, për një periudhë kohe prej 3 (tre) vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe mos të kryejë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.
- Në aplikim të nenit 190 të Kodit të Proçedurës Penale, provat materiale, konkretisht një DVD-R, me kapacitet 7.2 GB, emërtuar “Spak” “Fiks Fare”, e datës 20.04.2023, një CD e përcjellë me shkresën nr. 7161 prot, datë 11.07.2023, e kompanisë telefonike Vodafonë të mbeten pjesë e fashikullit.
- Shpenzimet gjyqësore dhe ato të hetimeve paraprake i ngarkohen të pandehurit.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Top Channel