Negociatat për grup-kapitullin e parë me BE, Varhelyi: Pa zgjerimin Evropa nuk mund të bëhet më e fortë

15/10/2024 10:28

Kryeministri Edi Rama, Péter Szijjártó, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë e cila mban edhe presidencën e radhës së BE-së dhe Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi po mbajnë një deklaratë të përbashkët në Këshillin e Bashkimit Europian në Luksemburg.

Varhelyi: Doja po kështu të falënderoja presidencën hungareze që ka nisur punën, duke e vendosur zgjerimin, jo vetëm si përparësi politike, por po kështu duke i kushtuar përpjekje të jashtëzakonshme për të nxitur e për të shtyrë përpara procesin institucional, çka nënkupton që të merren të gjithë vendimet e nevojshme, të zhvillohen të gjitha takimet e duhura për të ecur përpara edhe drejt përmbylljes së bisedimeve të anëtarësimit.

Është e padiskutueshme tashmë mendoj, për BE-në dhe udhëheqësit e saj që zgjerimi është mes tre përparësive kryesore. Është mes këtyre tre përparësive sepse pa zgjerimin, Europa nuk mund të bëhet më e fortë. Na duhet zgjerimi që Bashkimi Europian të bëhet më i fortë.

Krahasuar me pikën nga e nisëm në 2019 kemi bërë një rrugë të gjatë përpara. Më kujtohet shumë mirë dita e parë në detyrë kur mu desh të telefonoja kryeministrin Rama në mëngjes herët sepse ishin përballur me një tërmet shkatërrues, tërmet me shkallë Rihter 6,4 ballë. Ndërhymë menjëherë në përpjekje për të ndihmuar dhe mendoj që kjo formësoi dhe pjesën tjetër të mandatit dhe jo vetëm i dha formë mandatit, por solli po kështu, një qasje të re sepse ajo çka trashëgova nga Komisioni Juncker dhe kryeministri e përmendi tashmë ishte më shumë një skenë si një makinë e përplasur sesa një portofol.

Kishim tre përpjekje të dështuara për të arritur marrëveshje për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo ishte pika nga duhet ta filloja dhe në thelb u desh që politika e zgjerimit të ngrihej, më së pari, në këmbë dhe pastaj të merreshim me integrimin e mirëfilltë që do të thotë të dinim sesi do të arrinim ekonomi të ngjashme, shoqëri të ngjashme në Ballkanin Perëndimor edhe përpara sesa të ndodhë anëtarësimi dhe kjo u bë përmes Planit Ekonomik të Investimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA