Pas sherreve të vazhdueshme mes mbështetësve të Monika Kryemadhit dhe atyre të Ilir Metës, në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, mbajtur më 1 tetor 2024, është marrë vendimi për përjashtimin e Endri Braimllarit nga kjo strukturë politike.
Si pasojë, Braimllari ka kërkuar largimin e tij nga posti si kryetar i grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Në një komunikim zyrtar drejtuar Romina Kuko, kryetare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Braimllari ka konfirmuar se nga ky moment do të veprojë si këshilltar i pavarur, duke shprehur angazhimin e tij për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Tiranës dhe për të krijuar mundësi të reja për ta.
“Të nderuar,Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, e mbajtur më datë 1 Tetor 2024, është marrë vendimi mbi përjashtimin tim nga kjo strukturë politike. Në kushtet e përjashtimit nga Partia e Lirisë, kërkoj të zbatoni vendimin mbi largimin si kryetar i grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak Tiranë.
Njëkohësisht, pozicionimin tim si këshilltar i pavarur në Këshillin Bashkiak Tiranë. Nga ky moment do të jem këshilltar i pavarur, në mbrojtje të interesit qytetar për të krijuar shanse dhe mundësi për qytetarët e Tiranës.
Ju uroj punë të mbarë,
ANËTAR I KËSHILLIT BASHKIAK TIRANË
ENDRI BRAIMLLARI,” shkruan Braimllari.
Ky zhvillim reflekton një përçarje brenda opozitës në Këshillin Bashkiak.
Top Channel