Oleksandr, kreu i një njësie mjekësore për Brigadën e 25-të të ushtrisë ukrainase, ka treguar për BBC se ndodhet në linjën më të rrezikshme nga të gjitha frontet, afër Pokrovsk, një qytet i vogël minierash rreth 60 km në veri-perëndim të kryeqytetit rajonal, Donetsk.
“Federata Ruse po lufton fort. Ne nuk kemi mundur të stabilizojmë frontin. Sa herë që lëviz linja e parë, lëvizim edhe ne”, thotë ai nga pika e parë e trajtimit për ushtarët e plagosur, në një njësi të improvizuar.
Mjekët thonë se kohët e fundit kanë mjekuar 50 ushtarë në një ditë, shifra që rrallë janë parë më parë gjatë kësaj lufte. Të plagosur dërgohen në këtë njësi sekrete pas muzgut, kur ka më pak shanse për t’u sulmuar nga dronët e armatosur rusë.
Trupat ukrainase janë plagosur në betejën e egër për të mbrojtur Pokrovsk. Vetëm muaj më parë, ky konsiderohej një vend i sigurt, ku ishte shtëpia e rreth 60,000 njerëzve dhe rrugët ishin të mbushura me restorante, kafene dhe tregje. Ushtarët vinin shpesh nga vija e frontit në qytet për të pushuar.
Tani, ndihet si një qytet fantazmë. Më shumë se tre e katërta e popullsisë janë larguar.
Që kur Rusia pushtoi qytetin e Avdiivka në shkurt, ata përparuan shpejt në rajonin e Donestkut. Në fillim të tetorit, Rusia pushtoi qytetin kyç të Vuhledar, ndërsa ushtarët ukrainas pranojnë se luftimet rreth Pokrovsk janë më të ashpra, duke kryesuar edhe numrin më të lartë të sulmeve nga Rusia.
Javën e kaluar Kievi pretendoi se në total Forcat e Armatosura të Ukrainës kishin zmbrapsur rreth 150 sulme në disa ditë në dy javët e fundit.
Teksa gazetarët e BBC ndodhen në terren, gjashtë milje larg frontit, ata kanë takuar mjeken e ushtrisë Tania, e cila mban krahun e Serhiit, një ushtari të plagosur, duke thënë se gjendja e tij është e rëndë.
Serhii ka lëndime me predha në njërin sy, në kafkë dhe në tru. Mjekët i pastrojnë shpejt plagët dhe i injektojnë antibiotikë. Pesë ushtarë të tjerë mbërrijnë menjëherë pas tij. Breshëria e zjarrit mund të jetë aq e ashpër dhe e papritur, saqë plagët e tyre mund të jenë shkaktuar nga mortaja ose eksplozivët e hedhur nga dronët.
“Është e rrezikshme këtu. Është e vështirë, mendërisht dhe fizikisht. Jemi të gjithë të lodhur, por po ia dalim”, thotë Yuriy, komandanti i të gjitha njësive mjekësore të brigadës.
Të gjithë ushtarët janë plagosur në orare të ndryshme të mëngjesit, por ata mbërrijnë aty vetëm pasi ka rënë nata, kur është më e sigurt. Vonesat e tilla mund të rrisin rrezikun e vdekjes.
Një ushtar tjetër, Taras, ka lidhur një copë rreth krahut të tij për të ndaluar gjakderdhjen nga një plagë, por tani – më shumë se 10 orë më vonë – krahu i tij duket i fryrë dhe i zbehtë dhe ai nuk mund ta ndjejë atë.
Në 24 orët e fundit dy ushtarë janë sjellë të vdekur.
Ajo që shohim në njësinë në terren tregon egërsinë e betejës për Pokrovsk – një qendër e rëndësishme transporti. Lidhja hekurudhore që kalon është përdorur rregullisht për të evakuuar civilët nga qytetet e vijës së parë në pjesë më të sigurta të Ukrainës dhe për të lëvizur furnizimet për ushtrinë.
Kërcënimi i dronëve rusë është gjithmonë i pranishëm. Dritaret e ndërtesës janë të mbyllura, kështu që dronët nuk mund të shikojnë brenda, por në momentin që dikush del nga dera, ata rrezikohen të goditen.
Dronët janë gjithashtu një kërcënim për qytetarët e mbetur të Pokrovsk.
“Ne i dëgjojmë vazhdimisht duke gumëzhitur – ata ndalojnë dhe shikojnë brenda dritareve,” thotë një nga banorët e mbetur nga lufta. Por edhe ajo tani ka pranuar të evakuohet nga shtëpia e saj, në skajin lindor të rrezikshëm të qytetit. Ajo është e befasuar nga sa shpejt vija e frontit ka lëvizur në perëndim drejt Pokrovsk.
“Gjithçka ndodhi kaq shpejt. Kush e di se çfarë do të ndodhë këtu më pas. Po më humbasin nervat. Kam sulme paniku. Kam frikë nga netët.”
Ajo thotë se nuk ka para dhe do t’i duhet të fillojë jetën e saj nga e para diku tjetër, por është shumë e frikshme të qëndrosh këtu tani.
“Unë dua që lufta të përfundojë. Duhet të ketë negociata. Gjithsesi nuk ka mbetur asgjë në tokat e marra nga Rusia. Gjithçka është shkatërruar dhe të gjithë njerëzit kanë ikur”, thotë ajo.
Shumica e Pokrovsk tani është pa energji dhe ujë. Në një shkollë, ka një radhë njerëzish që presin të përdorin një rubinet të përbashkët. Ata thonë se pak ditë më parë punonin katër çezma, por tani janë vetëm një.
Duke ecur nëpër rrugë, pasojat e shkatërrimit janë të dukshëm, por qyteti ende nuk është bombarduar si të tjerët për të cilët janë luftuar ashpër.
Një banore tjetër, Larysa, 69-vjeç, shihet duke blerë thasë me patate në një nga një nga tendat ushqimore ende të hapura në tregun qendror.
“Jam e tmerruar. Nuk mund të jetoj pa qetësues”, thotë ajo. Me pensionin e saj të vogël, ajo nuk mendon se do të ishte në gjendje të përballonte qiranë diku tjetër. “Qeveria mund të më çojë diku dhe të më strehojë për një kohë. Por çfarë pas kësaj?”
Një tjetër blerës, Raisa 77-vjeçare, thotë se “Nuk mund të shkosh askund pa para. Kështu që ne thjesht ulemi në shtëpinë tonë dhe shpresojmë që kjo të marrë fund.”
Larysa mendon se është koha për të negociuar me Rusinë – një ndjenjë që mund të ketë qenë e paimagjinueshme për shumicën në Ukrainë disa kohë më parë. “Shumë nga djemtë tanë po vdesin, aq shumë janë plagosur. Ata po sakrifikojnë jetën e tyre dhe kjo po vazhdon e vazhdon”, thotë ajo.
80-vjeçarja Nadiia shprehet “Mallkuar kjo luftë! Unë do të vdes”, vajton ajo. “Pse [Presidenti] Putin dëshiron më shumë tokë? A nuk ka mjaftueshëm ai? Ai ka vrarë kaq shumë njerëz.”
Nadija nuk mund të ecë. Ajo tërhiqej zvarrë nëpër shtëpinë e saj, duke u mbështetur në ndihmën e fqinjëve. Vetëm një grusht prej tyre kanë qëndruar prapa, por nën kërcënimin e vazhdueshëm të bombardimeve, ajo ka vendosur të largohet edhe pse nuk e di se ku do të shkojë.
Por ka nga ata që ende nuk po largohen nga qyteti. Midis tyre ka vendas që punojnë për riparimin e infrastrukturës së dëmtuar nga lufta.
“Unë jetoj në një nga rrugët më afër vijës së frontit. Gjithçka është djegur rreth shtëpisë sime. Fqinjët e mi vdiqën pasi shtëpia e tyre u granatua,” na thotë Vitaliy, ndërsa ai dhe bashkëpunëtorët e tij përpiqen të rregullojnë linjat elektrike.
“Por unë nuk mendoj se është e drejtë të braktisim burrat tanë. Duhet të luftojmë derisa të kemi fitore dhe Rusia të dënohet për krimet e saj”.
Në agim të një mëngjesi, ekipi i BBC udhëton drejt fushëbetejës jashtë qytetit. “Vozisim me shpejtësi marramendëse në mënyrë që të mbrohemi nga sulmet e dronëve rusë”, thonë gazetarët.
Top Channel