E bujshme nga Arabia Saudite/ Al Nassr në krizë financiare? Klubi i Ronaldos përballet me probleme të mëdha ekonomike, rrezikohet largimi i CR7
Napoli këtë të martë bëri prezantimin e trajnerit të ri të tij, Massimiliano Allegri, me trajnerin livornez që ka mundësinë për të rinisur gjithçka. Në fakt Aurelio De Laurentiis e zgjodhi Allegrin për të bërë një hap akoma më cilësor me Napolin, skuadër që në vitet e fundit ka fituar në Itali, por që ka hasur në vështirësi të mëdha në Evropë.
Tekniku toskan e pranoi sfidën dhe tani është gati të marrë në dorëzim stafetën nga Antonio Conte siç ndodhi përpara 12 vitesh te Juventusi
‘Për mendimin tim, besoj se ky prezantim është edhe i tepërt, është hera e parë që më ndodh-tha Allegri-duhet të falënderoj presidentin. Që nga momenti që në klub ka ardhur De Laurentiis, Napoli ka qenë prej 10 vitesh në Champions League dhe prej 6 vitesh në Europa League. Ka fituar tituj kampionë. Pastaj është një skuadër e mësuar të punojë, Conte ka treguar të gjitha vlerat në karrierën e tij. Jam me fat është hera e dytë që trashëgoj një skuadër të tij dhe te shpresojmë që të jetë një ogur i mirë si në të kaluarën’.
Pas largimit të Gennaro Gattusos nga pankina e Italisë, emri i Allegrit u përmend si një prej kandidatëve për ta zëvendësuar, por trajneri i ri i Napolit mohoi se ka pasur kontakte me qeverinë e futbollit italian
‘Federata Italiane e Futbollit? Nuk kam pasur fare kontakte me të-tha Allegri-jam i lumtur që do të punoj me De Laurentiis, edhe më parë kemi qenë shumë pranë’.
Trajneri i ri i Napolit foli edhe për sezonin që e pret.
‘Duhet të kërkojmë të krijojmë bazat për të arritur në gjendje të mirë në mars, kur siç e kam thënë gjithnjë, vendoset sezoni-shtoi Allegri-Nga nesër nis një aventurë e mrekullueshme. Qyteti është një çmenduri, shumë pasional’
Allegri foli edhe për të kaluarën e tij me Milanin dhe për mënyrën sesi u mbyll historia me klubin kuqezi.
‘Më erdhi shumë keq sesi u mbyll kjo histori, përkundrazi, përfitoj nga rasti për të falënderuar të gjithë ata me të cilët kam punuar me Milanin-vijoi Allegri i cili komentoi edhe deklaratat e Cardinale për nevojën për të pasur një trajner që të luajë për të fituar
‘Nuk i komentoj ato deklarata, e përsëris, vetëm mund t’i falënderoj të gjithë ata që më kanë duruar gjatë vitit. Të gjithëve na erdhi keq që nuk e arritëm objektivat, por tani është një vit tjetër-shtoi Allegri.
Por a do të jenë ende pjesë e skuadrës Lukaku dhe De Bruyne?
‘Kam mësuar një gjë; të japësh gjykime nga jashtë nuk është asnjëherë e lehtë-shtoi Allegri-futbollistët fillimisht duhet t’i stërvisësh. Sigurisht që skuadra ka vlera të rëndësishme’
Ndërsa për merkaton e transferimeve, Allegri tha: ‘Për këtë mendon klubi. Do të bëjmë vlerëzimet dhe më pas do të shohim se çfarë do të na mungojë. Sfida e madhe është të jemi kompetitivë dhe të qëndrueshëm. Skuadra është e fortë, më pas të shohim. Hojlund? Jam i kënaqur që do të punoj me të, vitin e kaluar e humba, këtë vit e kam…’.
Top Channel