BE nuk arrin objektivin për uljen e viktimave në aksidentet rrugore, rreth 19 500 të vdekur në vitin 2025

14/07/2026 12:39

Edhe pse disa vende të Bashkimit Evropian kanë shënuar përmirësime të ndjeshme në sigurinë rrugore, Europa në tërësi nuk po ecën me ritmin e nevojshëm për të arritur objektivin e uljes me 50% të vdekjeve nga aksidentet rrugore deri në vitin 2030.

Sipas raportit më të fundit të Këshillit Evropian të Sigurisë së Transportit (ETSC), gjatë vitit 2025 rreth 19 500 persona humbën jetën në rrugët e Bashkimit Evropian, ndërsa më shumë se 100 mijë të tjerë u plagosën rëndë.

Raporti tregon se numri i viktimave ra me vetëm 2% krahasuar me një vit më parë, ndërsa që nga viti 2019, kur u vendos objektivi për përgjysmimin e vdekjeve në rrugë, ulja ka qenë vetëm 15%. Për të qenë në linjë me objektivin e vitit 2030, BE-ja duhej të kishte arritur një ulje prej rreth 31% deri në këtë periudhë.

Ekspertët paralajmërojnë se, për të arritur synimin, nga tani deri në vitin 2030 numri i viktimave duhet të ulet me rreth 10% çdo vit, një ritëm rreth pesë herë më i lartë se ai aktual.

Megjithatë, raporti evidenton edhe disa histori suksesi. Polonia ka bërë përparimin më të madh, duke ulur numrin e viktimave në aksidente rrugore me 43% që nga viti 2019. Ndërkohë, Belgjika ka shënuar një ulje prej 31%, ndërsa Danimarka prej 32%.

Danimarka, e konsideruar një nga vendet më të sigurta në Europë për sa i përket trafikut, u vlerësua për qasjen e saj afatgjatë ndaj sigurisë rrugore. Vendi nuk është mbështetur vetëm te fushatat ndërgjegjësuese, por ka forcuar kontrollet, ka zgjeruar përdorimin e kamerave të shpejtësisë, ka luftuar drejtimin nën ndikimin e alkoolit dhe ka investuar vazhdimisht në përmirësimin e infrastrukturës.

Norvegjia dhe Suedia mbeten vendet me normat më të ulëta të vdekjeve në rrugë, me vetëm 19 viktima për çdo milion banorë, krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian prej 43 viktimash për milion banorë.

Në anën tjetër, raporti evidenton edhe raste shqetësuese. Holanda rezulton si një nga surprizat negative, pasi është i vetmi vend europian ku numri i vdekjeve në aksidente rrugore për milion banorë është tashmë më i lartë se një dekadë më parë.

Kjo, pavarësisht investimeve të vendit në automjete elektrike, zona me emetime zero dhe një rrjet të zhvilluar për biçikletat.

Një tjetër problem i evidentuar është siguria e çiklistëve. Sipas një raporti të veçantë të ETSC-së, vdekjet e çiklistëve në BE kanë rënë shumë ngadalë gjatë dekadës së fundit, vetëm me rreth 0.5% në vit, ndërsa vdekjet e përdoruesve të tjerë të rrugës janë ulur katër herë më shpejt.

Çiklistët përbëjnë aktualisht rreth 10% të të gjitha viktimave të aksidenteve rrugore në Bashkimin Evropian, çka sipas ekspertëve kërkon investime të mëdha në infrastrukturë të dedikuar dhe masa të reja mbrojtëse.

Raporti i ETSC thekson se objektivi i vitit 2030 mbetet ende i arritshëm, por vetëm për vendet që e trajtojnë sigurinë rrugore si një prioritet afatgjatë politik dhe zbatojnë masa konkrete për reduktimin e aksidenteve.

Top Channel