Shuhet ikona e humorit fierak, ndahet nga jeta në moshën 78-vjeçare “Artisti i Merituar” Todi Llupi

14/07/2026 10:42

Arti shqiptar është në zi. Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare aktori dhe humoristi i njohur Todi Llupi, një prej figurave më të spikatura të Estradës Profesioniste të Fierit dhe një ikonë e humorit shqiptar.

Me një karrierë artistike që zgjati më shumë se pesë dekada, Todi Llupi u bë pjesë e Estradës së Fierit në vitin 1971, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e saj ndër më të mirat në vend. Me talentin e tij të veçantë, interpretimin plot finesë dhe përdorimin mjeshtëror të dialektit myzeqar, ai fitoi zemrat e publikut dhe u kthye në një nga artistët më të dashur për breza të tërë.

Përveç dhjetëra roleve në skenën e estradës, Llupi interpretoi edhe në disa filma artistikë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kinematografisë dhe humorit shqiptar.

Në vitin 1989 ai u vlerësua me titullin “Artist i Merituar”, si mirënjohje për kontributin e tij të çmuar në artin dhe kulturën shqiptare.

Ndarja nga jeta e Todi Llupit përbën një humbje të madhe jo vetëm për qytetin e Fierit, por për gjithë artin shqiptar. Trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë përmes roleve dhe kujtimeve që ka lënë tek publiku.

 

Top Channel