Pathyeshmëria e Ramës, një mit i krijuar nga përballjet me cene të opozitës me të

07/10/2024 11:44

Preç Zogaj

Nga viti 2015 e këtej janë zhvilluar pesë palë zgjedhje të “erës Rama”. Dy parlamentare dhe tri vendore. Të pesta i ka fituar PS-ja. Shto këtu fitoren e saj të thellë të ardhjes në pushtet në vitin 2013, bëhen gjashtë radhazi. Duke vendosur një rekord. Me gjasën për t’u thelluar në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Nuk themi ndonjë gjë të re duke pohuar se listës “elegante” të parregullsive të evidentuara në raportet e OSDBE/ODHIR-it i mungon në gjerësinë dhe thellësinë reale pjesa brutale: roli i bandave të narkotrafikut dhe krimit të organizuar që kanë vepruar si njësi komplimentare të PS-së për të blerë vota, për të intimiduar e dhunuar zgjedhës të opozitës; u mungon një qasje e thelluar e rrethimit të zgjedhjeve me një ushtri patronazhistësh e aktivistësh, pjesëtarë formalë të administratës shtetërore shumica prej tyre, roli i të cilëve është të administrojnë regjistrin e famshëm të zgjedhësve që Edi Rama me shokët e tij e kanë shpikur si “armën magjike” në një vend të vogël ku votuesit numerikisht të mjaftueshëm për të fituar mund të menaxhohen emër për emër. Dhe kjo përbën edhe anën perverse të “shpikjes” në fjalë.

Opozita dhe mediat kritike kanë ngritur zërin e protestuar kundër krimeve zgjedhore. Ndërsa nuk kanë mundur të fitojnë asnjë trofe gjithë këto vite, të frustruar nga dështimet, krerët e PD-së kanë investuar narrativën e pamundësisë së fitores me Edi Ramën kryeministër. Narrative e cila, në përsëritjen e saj nga zgjedhjet në zgjedhje ka ushqyer mitin e pathyeshmërisë së tij.

Denoncimet kanë qenë e janë të drejta. Dhe nuk është se nuk kanë dhënë rezultate. Bandat e angazhuara për llogari të PS-së kanë marrë goditje të forta, edhe pse jo përfundimtare. Kodi zgjedhor ka adresuar disa problematika të ngritura nga OSBE dhe opozita.

Por PD është mjaftuar me denoncime, pa vështruar brenda vetes, pa u thelluar edhe në arsyet e brendshme të dështimeve të saj. “Alternativa” e saj e rikthimit në pushtet me të njëjtët e njerëz e filozofi, duke u mbështetur në komsumimin e qeverisë, përveçse cinike, është edhe pa shanse për të fituar. Njerëzit i largohen qeverisë por nuk shkojnë te një opozitë që paraqitet me ofertën “ose na rivotoni përsëri neve që kemi qenë në timon, ose vrisni veten”. Kjo është fotografia elektorale në Shqipërinë e sotme. Shumica e njerëzve janë kundër qeverisë, por nuk janë me PD-në.
Ndërkohë, ka ndodhur një gjë tjetër specifike që, sipas meje, ka ndikuar shumë në fitoret e PS-së. PD nuk i ka dhënë asaj një betejë elektorale të vërtetë, pa bishta, pa cene, pa ngërçe.

Në zgjedhjet vendore të vitit 2015 ajo pagoi bojkotin e reformes administrative, gjë që ndikoi në tkurrjen e ndjeshme të ngjyrës blu në hartën e elektorale të bashkive dhe vendosi gjendjen e një shkalle të re vështirësie për ta përmbysur.
Në zgjedhjet politike të vitit 2017 PD “u kyç” katër muaj para datës së zgjedhjeve në të ashtuquajturën “çadër e lirisë”, ku kërkoi si kusht për të hyrë në zgjedhje dorëheqjen e Ramës.

Paralel me këtë kërkesë deklaroi mosvotimin e komisioneve parlamentare Ad Hoc që do të zgjidhnin njerëzit e vetingut me të cilët startonte de fakto ngritja e institucioneve të reja të reformës në drejtësi. Ky akt vetëpërvëlues nënkuptonte përdorimin kundër partnerëve të së drejtës së vetos të dhuruar nga partnerët. Si përfundim, pas takimit të të dërguarit të Departamentit të Shtetit me Sali Berishën, PD mbylli çadrën dhe vendosi të hynte në zgjedhje në minutat e fundit. Me Ramën kryeministër.

PD votoi ndërkohë pa falenderime komisionet Ad Hoc të Kuvendit. Kësisoj ajo shkoi në zgjedhje me një ushtri elektorale të shmobilizuar që ishte bombarduar për tre muaj me radhë me bindjen se nuk do të marrim pjesë në zgjedhje pa ikur Rama. Rrezutati dihet: humbje e thellë.
Në vijim të aktit pa precedent të djegies së mandateve, PD ndërmori aktin e dytë të vetvrasjes politike duke bojkotuar zgjedhjet vendore të vitit 2019, teksa ishte përshirë në një maratonë të dëshpëruar protestash me elementë të përdorimit të dhunës. PS mori një fitore gratis pa betejë në të gjitha bashkitë e vendit.

Në zgjedhet e vitit 2021, PD u organizua si asnjëherë tjetër në një përballje ballore normale me kundërshtarin. Ajo arriti një rezultat që shënohet ndër të lartët e kësaj partie, rreth 40 përqind, duke dëshmuar se ishte rikthyer si alternativë e fuqishme e pushtetit. Në përfundim ajo pagoi pasojat e bojkotimit të pushtetit vendor si dhe mungesën e qartë të mbështetjes amerikane për arsye që do të bëheshin të qarta pas përfundimit të zgjedhjeve.

Jashtë çdo dyshimi, zgjedhjet e vitit 2021 treguan se qeveria mund të mundej, se miti i pathyeshmërisë së Ramës ishte fiktiv, pavarësisht mbështetjes nga bandat. Ato zgjedhje janë një argument i fortë se po të kishte vijuar në trasenë e alternativës si dhe duke konsideruar goditjet që do do të merrte ndërkohë qeveria dhe krimi nga drejtësia e re, PD dhe aleatët e saj do të kishin fituar zgjedhjet vendore të vitit 2023, do ta kishin parakaluar në sondazhe PS dhe do të ishin duke shkuar drejt një fitoreje të sigurt në zgjedhjet e vitit 2025.

Në zgjedhjet vendore të vitit 2023 opozita bëri testin e gjendjes së re të krijuar nga lëvizja e Foltores dhe Rithemelimit që ndërmori Berisha në sfidë të sanksionimit të tij nga SHBA dhe Britania e Madhe. Berisha refuzoi propozimin e Enkelejd Alibeajt dhe Gazmend Bardhit, që drejtonin atë që quhej PD zyrtare, për të dalë në zgjedhje me kandidatë të përbashkët nën siglën e PD-së ku shumica dërrmuese e tyre do të ishin mbështetës të Berishës dhe pjesëtarë të Rithemelimit. Berisha me koalicionin e tij regjistroi humbjen me të thellë në historinë e opozitës edhe pse PD zyrtare e Alibeajt mbeshteti kadidatët e Rithemelimit në shumicën dërmuese të bashkive.

Të gjitha këto, pra edhe mosreformimi, edhe mungesa e përballjeve të plota politike kanë qenë e do vijojnë të mbesin një bonus për PS-në dhe Ramën.

PD e Berishës tashmë po starton sërish në termat e fatalitetit dhe justifikimit të humbjes.
S’ka pak kohë që në joshjen e kapjes dorë për dorë me Ramën, kryesisht kundër SPAK dhe drejtësisë së re, PD e Berishës festoi reformën zgjedhore konsensuale me PS. Si pakuptuar edhe dy autogolat e pësuar nga kjo reformë.
Pas tryezës që ktheu paqen mes dy kampeve, kanë ndodhur edhe dy ngjarje inkurajuese për zgjedhjet e vitit 2025: një mumër i konsideruar i bandave që kanë vepruar për llogari të PS-së janë goditur e vazhojnë të goditen nga SPAK dhe gjykatat. Kryetari i SPAK, zoti Dumani, ka deklaruar se institucioni i drejtuar prej tij do të dalë në dhjetor me një projekt të mbrojtjes së zgjedhjeve nga çdo formë e krimit zgjedhor, një akt ky i përgjegjësisë konkrete që merr përsipër SPAK.

Rama ngjan të jetë i ndërgjegjshëm se dinamika e krimeve elektorale po del nga shtati i praktikave rutinë; se nuk do ta ketë më siç e ka patur dhe sa e ka patur mbështetjen e bandave. Ndaj shihet se për të mbushur boshllëkun e krijuar po kërkon zgjidhje të reja, me “duar të pastra”.
Në të kundërt, PD po riciklon gjithë qëndrimet dhe terminologjinë e vitit 2017 dhe 2019 në një déjà vu që në fakt është e vjetër në PD-në e drejtuar prej Berishës dhe nuk ka dhënë kurrë rezultate. Ajshtajni ka një përgjigje për ata që bëjnë të njëjtën gjë e të njëjtën gjë dhe presin rezultate të ndryshme.

Tundimet për t’i rënë përsëri nga mali lexojnë ndër të tjera zhgënjimin e Berishës me pritshmëritë që ka ngritur Rama kur palët u ulën e shtrënguan duart për reformën zgjedhore dhe sakaq morën sinjalet e korigjimit të drejtësisë së re nga një “drejtësi tjetër e re”, përmes superkomisionit “Xhafaj” me mandat përtej legjislaturës. Iluzion!
Drejtësia e re as mund të kapet, as mund të tjetërsohet e ndalet. Pavarësisht pengesave. Ajo është fuqia vendore në një betejë për sundimin e ligjit me mbështetje amerikane dhe europiane. Zaret e kësaj beteje janë hedhur dhe nuk i tërheq dot asnjë aktor politik.

Në këto kushte, komportimi si alternativë në program, në komunikim, deri në paraqitje është zgjedhja e vetme për PD-në. Konstruktivizmi e ndihmon për t’u bërë më e madhe se është, por jo për të fituar si në vitin 2005. Arsyet i kemi thënë disa herë. Fitorja kërkon reformin, program dhe mbështetje ndërkombëtare. PD ka vetëm programin. Nëse e ka. Formula e mposhtjes së PS-së mbetet gjithnjë institucionalizimi i opozitës plurale, zgjidhja e vetme që mund të çojë në kutitë e votimit shumicën antiqeveritare./ Liberale

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA