Ekspozita e “Punë pa teka”, puna e dy sezoneve televizivë në Top Channel u jetëzua në foto

01/10/2024 15:38

Pas dy sezoneve televizivë në Top Channel, Punë Pa Teka u jetëzua në një ekspozitë për punëtorët.

“Një ekspozitë ku nuk ka një artist dhe vepra arti, por ka një kryevepër dhe ajo është puna”, u shpreh autorja, Kristi Gongo.

20 fotografi kryesore të punonjësve, të shkrepura gjatë proceseve të ndryshme pune, në xhirimet e 20 episodeve, të vendosura në telajo dhe kavaleta tërhoqën vëmendjen e të ftuarve, ku veç bashkëpunëtorëve, miqve, dashamirësve, personave publike, të pranishëm ishin edhe vetë protagonistët e programit.

“Kur pyesin çfarë pune bëni ju te shtëpia e foshnjës, them ndiqni punë pa teka”, tha Orjeta Metaj, nga shtëpia e foshnjës.

Ekspozita synon të përforcojë thirrjen e përbashkët për vëmendje ndaj punëtorëve, si një nga shtyllat që mban në këmbë shoqërinë.

“Shumë mirënjohje mbi të gjitha platformës së të gjithë shqiptarëve, Top Channel, për mbështetjen e pakursyer ndaj idesë për të kthyer vëmendjen te punëtorët. Punë që mendohen të thjeshta, ndonjëherë edhe të përbuzura apo të refuzuara, por që protagonistët e emisionit, këta njerëz kaq të mirë, të përgjegjshëm, na treguan se në punën e tyre ka dinjitet, ka një qëllim më të lartë seç mund të perceptojë shoqëria. edhe pse kushtet mund të mos jenë ideale; por punëtorët pa teka veshin uniformën e shkojnë çdo ditë në punë”, u shpreh autorja.

“Kjo ekspozitë na tregon punët në forma të ndryshme Kastrati Group ndaj është mbështetës ndaj Punë pa teka sepse mesazhi është i qartë: Puna e bën një shoqëri të shëndetshme. Të gjithë duhet të jemi krenarë për punën që bëjmë. Nuk ka rëndësi cilën punë po bën, që nga pastrimi, shërbimi apo ngarkimi i valixheve sic bëri Kristi në aeroportin e Tiranës. Në thelb, çdo punë është e rëndësishme!”, tha Pier Vittorio.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA