Me fillimin e Kupave të Europës, tashmë edhe kampionatet luajnë në dite të ndryshme, gjithsesi, në fundjavën që shkoi sa i përket legjionarët kuqezi, një pjesë e tyre kanë qenë si gjithmonë protagonist të klubeve ku aktivizohen.
Taulant Seferit i ka mjaftuar pak kohë për t’u përshtatur me skuadrën e tij të re në Superligën e Turqisë, Bodrumspor.
Anësori i sulmit të Kombëtares shqiptare, ka shënuar një supergol sot në ndeshjen e dytë radhazi për klubin e tij, që duket se ka gjetur një armë më shumë në luftën për të siguruar mbijetesën.
I aktivizuar titullar në ndeshjen e ndaj Adana Demirspor, sulmuesi kuqezi la shenjë duke shënuar golin e rezultatit të përkohshëm 2-0 në minutën e 53-të të ndeshjes në fjalë, në të cilën përkrah si titullar kishte edhe Arlind Ajetin.
Në minutën e 81-të, Seferi kishte shansin e artë të kompletonte dopitën personale, por nuk arriti ta finalizojë si duhet penalltitë që ekzekutoi. Në fund skuadra e sulmuesit të Kombëtares triumfoi me rezultatin 3-1 duke arkivuar 3 pikë të arta. Në radhët e kundërshtarëve aktivizohej si titullar mesfushori i Shpresave, Arda Kurtulan.
Kristian Shpendi e ka filluar këtë sezon në Serinë B italiane në mënyrën më të mirë të mundshme. Sulmuesi shqiptar, ka vazhduar të shënojë po me të njëjtën rregullsi me të cilin u paraqit edhe në sezonin e kaluar në Serinë C ku ndihmoi Çezenën të bënte hapin cilësor dhe të ngjitej një kategori më lart.
Shpendi ka tundur rrjetën që në minutën e dytë të ndeshjes kundër Mantovës, që është një prej skuadrave e cila ka pretendime për ngjitjen në elitë. Ky ishte goli i katërt në 6 ndeshje të luajtura nga Shpendi në këtë sezon në Serinë B.
Pas 2 golave radhazi, Myrto Uzuni ishte sërish protagonist te skuadra e Granadës, teksa asistoi në golin e parë, në duelin ndaj Burgos, ku skuadra e beratasit barazoi në transfertë me rezultatin 2-2.
Ishte pikërisht Myrto Uzuni ai që “gatoi” golin e parë për të tijët. Në minutën e 51-të të sfidës, sulmuesi i Kombëtares shqiptare dha një pasim për Tsitaishvili, me këtë të fundit që dërgoi topin në fundin e rrjetës.
Në rolin e kapitenit dhe me numrin 10 në fanellë, Uzuni vazhdon që të jetë një nga pikat kyçe të ekipit spanjoll.
Al Itihadi i Mario Mitajt mposhti me përmbysje 4-1 skuadrën e Al Khalej, në duelin e vlefshëm për javën e 5-të në Arabinë Saudite. Futbollisti kuqezi, u aktivizua si titullar në këtë përballje, teksa ndryshe nga Kombëtarja që luan në krahun e majtë, te skuadra e tij e re është pozicionuar i mesfushor para mbrojtjes, në skemën 4-2-3-1.
Top Channel