Kurti “zbutet” për urën? Kryeministri i Kosovës: Po bëjmë të gjitha konsultimet e nevojshme

28/08/2024 15:40

Edhe pse raporti paraprak që konstatonte se Ura e Ibrit ka strukturë të qëndrueshme dhe funksionale, u bë publik që na 8 gusht, ajo nuk është hapur ende për qarkullimin e automjeteve.

Mes presionit ndërkombëtar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pohon se qeveria e tij po vazhdon konsultimet me aleatët për hapjen e urës që ndan Mitrovicën në pjesën e jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të veriut, të banuar me shumicë serbe. Kurti njoftoi se Kosovën do ta vizitojnë dy ministra të Jashtëm të dy vendeve anëtare të NATO-s javën e ardhshme, ndërsa të enjten edhe ndihmës/sekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus.

Hapja e urës është liri e lëvizjes, e liria e lëvizjes është e drejtë themelore. Në të gjitha këto takime natyrisht do të diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull saj.

Një ditë më parë, Kurti u takua me shefin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiral Stuart Munsch, me të cilin diskutoi rreth situatës së sigurisë në vend. Vizitat e zyrtarëve të NATO-së dhe të tjerëve në Kosovë po zhvillohen në kohën kur Shtetet e Bashkuara, BE-ja, por edhe vetë misioni i aleancës ushtarake, KFOR, e kanë kundërshtuar synimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës në këtë kohë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA