Rritësit e bletëve në Francë ashtu si dhe në vende të tjera të botës, pëshkruanin sot një sezon ‘katastrofik’ për prodhimin e mjaltit ku bletët po ngordhin nga uria dhe prodhimi që ka rënë në disa zona me 80 përqind.
Marie Mior, rritëse bletësh në Saint-Ours-les-Roches në Francën qendrore, tha se moti i pazakonte me reshje të papritura ka shkatërruar ushqimin e bletëve dhe prodhimin e mjaltit.
“Ky ishte një sezon katastrofik sa i përket prodhimit të mjaltit. Por çështja nuk ndalet me kaq pasi bletët janë pjesë thelbësore e ekosistemit”, thotë Mior.
Mickael Isambert, bashkëpunëtor i Marie, thotë se ka humbur 70 përqind të prodhimit dhe është detyruar të ushqejë me sheqer kolonitë e bletëve të tij për t’i mbajtur gjallë, por nuk e di për sa kohë mund ta përballojë këtë.
“Nuk e kisha pritur diçka të tillë,” thotë kultivuesi 44 vjeçar që kujdeset normalisht për rreth 450 hoje bletësh.
Secila prej tyre prodhon rreth 15 kilogramë mjaltë në vit, ndërsa kësaj here Isambert thotë se kanë prodhuar pesë deri në shtatë kilogramë gjithë vitin. Kjo prej reshjeve të shumta që kanë përfshire rajonin e kultivimit të blertëve.
“Kur bie shi bletët nuk fluturojnë, ato nuk dalin, kështu që konsumojnë rezervat e tyre të mjaltit,” shton Marie Mior.
Reshjet e shumta në rajon kanë ndaluar bletët për të mbledhur pjalm, si dhe vetë lulet për të prodhuar nektarin që mblidhet nga inseket punëtore.
Sindikata franceze e bletë-rritësve Unaf thotë se reshjet e sivjetshme në rajon ishin 45 përqind më të larta se mesatarja.
“Kushtet e motit ishin çuditërisht katastrofike për kulturat tona, shiu i vazhdueshëm dhe temperaturat e ulëta deri vonë në sezon, po vënë në rrezik jetën e bletëve”, shkruante shoqata në një letër për degët e saj.
Ata shtonin se temperaturat kanë qëndruar nën 18 gradë Celsius, që është minimumi i nevojshëm që lulet të prodhojnë nektar.
Rritësi Jean-Luc Hascoet, në rajonin veriperëndimor Brittany thotë se sivjet ka humbur 15 koloni bletësh, dhe për të tjerë kolegë të tij ka qenë edhe më keq.
“Në qershor popullata e bletëve rritet dhe kolonitë zmadhohen por kjo nuk ndodhi sivjet, shumë prej tyre ngordhën nga uria. Shëndeti i bletëve është i lidhur me atë të njeriut”, thotë Hascoet, për rrjetin AFP.
Sezonet e fundit bletë-rritësit francezë ishin goditur nga thatësira, thotë kreu i shoqatës Unaf, Christian Pons, ndërsa këtë vit e gjetën edhe më keq nga reshjet e temperaturat e mbrapshta.
“Dhjetë vjet më parë unë prodhoja dy ton mjaltë, në krahasim me 100 kg qe po marr sot,” thotë ai.
Francezët konsumojnë një mesatare prej 45,000 ton mjaltë në vit ndërsa sivjet prodhimi nuk arriti 20,000 ton, njoftonte konfederata bujqesore vendase, sipas rrjetit AFP.
Top Channel