Ministri i mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci, njoftoi mbajtjen e një trajnimi të përbashkët të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, nën vëzhgimin e amerikanëve.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në një ushtrim të përbashkët me Trupat speciale të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Njësinë e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë së Kosovës testuan aftësitë reaguese dhe ndërvepruese gjatë operacioneve speciale, nën vëzhgimin e Komandës Amerikane të Operacioneve Speciale për Europën”, njoftoi ministri përmes një postimi në Facebook.
“Gjatë stërvitjes #ValorShield24, trupat e njësive tona simuluan skenarë të ndryshëm, përfshirë operacione të zbulimit taktik, operacione psikologjike, analizimin e të dhënave të zbulimit, përdorimin e dronëve gjatë fazave të zhvillimit të operacioneve për goditjen e objekteve, si dhe parandalimin e veprimeve të grupeve taktike sulmuese”, sqaroi ai.
Më tej shkruan “krah për krah”, duke shtuar në postim flamujt e Kosovës, Shqipërisë dhe Amerikës. Në mesin e tensioneve të rritura me Serbinë, Kosova i ka shtuar së fundi përpjekjet për të përmirësuar aftësinë reaguese të forcave të saj ushtarake si dhe për të blerë armatime e pajisje ushtarake shtesë.
Në fillim të janarit, Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se Prishtina kishte bërë kërkesë për të blerë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh, ndërsa në prill mori edhe pesë kamionë ushtarakë në vlerë rreth tre milionë euro si mbështetje nga Gjermania.
Top Channel