Begaj pret të Ngarkuarën e re me Punë të SHBA në Tiranë: Partneritet strategjik me Uashingtonin! Ambasada Amerikane: Nancy Van Horn koordinoi mesazhet në mbi 40 ambasada në Europë

05/08/2024 12:30

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim të Ngarkuarën e re me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy Van Horn.

Kreu i Shtetit uroi diplomaten amerikane për nisjen e detyrës, duke shprehur besimin se gjatë mandatit të saj do të pëforcohet më tej partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Begaj rikonfirmoi angazhimin dhe kontributin në rritje të Shqipërisë në këtë partneritet strategjik, duke shprehur mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen bujare dhe vendimtare ndaj vendit tonë.

Presidenti i Republikës theksoi, gjithashtu, se mbështetja e SHBA-së rrit angazhimin e Shqipërisë për reformat demokratike dhe sundimin e ligjit, përpjekje këto të qëndrueshme me synim finalizimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Për sa i përket situatës në rajon, Presidenti Begaj u shpreh se Shqipëria vlerëson angazhimin e administratës amerikane, duke theksuar se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor mbetet vendimtar.

Në takim u vlerësua roli i Shqipërisë për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal, përkushtimi në misionet ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë, si edhe qëndrimi kundër përpjekjeve që cenojnë paqen përmes zgjerimit të konflikteve.

“E ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua sot me Presidentin Bajram Begaj. Znj. VanHorn dhe Presidenti Begaj diskutuan për miqësinë e qëndrueshme midis kombeve tona dhe përkushtimin tonë të përbashkët për vlerat e ndërsjella drejt një të ardhmeje më të sigurt, demokratike dhe më të begatë.

Bashkohuni me ne për të mirëpritur të Ngarkuarën tonë të re me Punë, Nancy VanHorn, në Shqipëri! Znj. VanHorn është një diplomate karriere e cila iu bashkua Shërbimit të Jashtëm në 2007 dhe së fundi përfundoi detyrën e saj si Zëdhënëse e Byrosë së Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike, duke koordinuar mesazhet për më shumë se 40 ambasada në Europë. Na ndiqni për të mësuar më shumë rreth rrugëtimit dhe punës së saj. Mirë se vjen në Shqipëri!”, shkruan ambasada e SHBA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA