Vajza e një politikani ekuadorian është goditur dhe vrarë nga një makinë Mercedes me shpejtësi para syve të të fejuarit të saj.
Vanessa Sagnay de la Bastida, 28 vjeç, u godit teksa kalonte një rrugë pranë urës Wandsworth në perëndim të Londrës me partnerin e saj Michael Williams.
Octavian Cadar, 39 vjeç dyshohet se po ngiste Mercedesin me më shumë se dyfishin e shpejtësisë në momentin e përplasjes që e hodhi në ajër 28-vjeçaren.
Sagnay, e cila njihej si Charlotte, pësoi një dëmtim në kokë dhe vdiq në vendngjarje rreth 13 minuta më vonë, pavarësisht përpjekjeve të një mjeku jashtë detyrës.
Cadar, nga Bexley, Londra juglindore, ka pranuar se e ka shkaktuar vdekjen e saj nga drejtimi i pakujdesshëm, por ka mohuar drejtimin e rrezikshëm të mjetit.
Dëshmitarët e pranishëm në vendngjarje u shprehën se dëgjuan një zhurmë të shkaktuar nga një makinë sportive e cila ishte me shumë shpejtësi. 28-vjeçarja u pa nga një dëshmitar duke bërë salto në ajër përpara se të binte në tokë.
Një mjek jashtë detyrës i cili u ndodh në vendngjarje i dha ndihmën e parë, por Sagnay për shkak të plagëve të marra nuk mbijetoi.
Ndërkohë gjyqi për këtë çështje vazhdon ende. Në seancën e fundit nëna e Sagnay filloi të qante me zë të lartë në gjykatë dhe u duk e tronditur kur mësoi se i pandehuri kishte prekur vajzën e saj ndërsa ajo shtrihej e vdekur në trotuar.
Gjyqtarja Anuja Dhir KC bëri thirrje për një pushim të shkurtër përpara se t’u drejtohej anëtarëve të jurisë për këtë çështje.
Ajo u tha atyre se është e kuptueshme që ’emocionet janë të larta’, por u kërkoi juristëve të linin mënjanë ndjenjat e tyre dhe të gjykonin çështjen në bazë të provave.
Top Channel