Në takimin me socialistët e Kamzës, drejtuesi politik i PS-së për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se opozita që djeg goma, është po e njëjta me ata që dje bllokonin këndet e lodrave për fëmijë në Tiranë.
“Sot Parku i Paskuqanit hahet rrotë më rrotë me Parkun e Liqenit të Tiranës. Ju kujtohet, gjëja e parë që bëmë në Tiranë ishte një kënd lodrash te liqeni. Ata që qeverisnin Kamzën dhe Tiranën deri dje, erdhën me pistoletë për ta prishur. I keni parë si vijnë vërdallë nëpër Tiranë, djegin goma? I keni parë sesi në fushatë xhirojnë gomat, kurse kur humbasin djegin gomat? Ata janë një parti që e ka mendjen te rrota, ndërkohë bota po flet për inteligjencën artificiale. Jemi në 2024 dhe artikulimi politik me zjarr, me molotovë, me bomba, me vulgaritet, me të shara është diçka që i përket të kaluarës, jo vetëm të kaluarës së Shqipërisë, por të kaluarës së botës”, tha Veliaj.
Veliaj nënvizoi se PS-ja është e vetmja forcë politike, e cila flet me vepra.
“Sa flet një kopësht në Kamëz, që fiton çmim ndërkombëtar për arkitekturë, nuk flet asnjë fjalim tjetër. Sa flet Parku i Paskuqanit, që mbushet me jetën e të rinjve, nuk ka nevojë fare për fjalim. Ndaj, sot ne kemi një moment reflektimi sepse gjërat nuk kanë qenë gjithmonë kështu. Ne, si parti, kemi kaluar momente shumë të vështira. Është inkurajuese që është hapur hetimi për 21 janarin. Nuk po flas përpara 100 vitesh, por përpara pak vitesh, po të ishe socialist vriteshe me plumba në mish. Të ishe socialist në 96, 97, 98, ishe mish për top”, shtoi ai.
Ai ftoi qytetarët e Kamzës për mbështetje masive të PS, për të vijuar me punët e nisura.
Top Channel