Për Elon Musk, ligji i ri në Kaliforni i identitetit gjinor, e mbushi kupën e durimit të tij: Miliarderi, i cili javën e kaluar shprehu mbështetjen e plotë për republikanin Donald Trump, njoftoi planet për të zhvendosur nga ky shtet selitë e dy kompanive të tij, SpaceX dhe X, dhe për t`i spostuar ato në Teksas ku dërgoi edhe Teslën në vitin 2021.
Teksasi nuk ka tatim shtetëror mbi të ardhurat për banorët e tij. Një ligj i ri në Kaliforni, i cili i ndalon drejtoritë arsimore që të kërkojnë nga mësuesit t’i njoftojnë prindërit kur një nxënës ndryshon identitetin gjinor ose orientimin seksual, ishte ai që e shtyu Muskun ta vendoste përfundimisht largimin.
“Për shkak të këtij ligji dhe shumë të tjerëve që i paraprinë atij, që vë në shënjestër familjet dhe bizneset”, tha manjati në njs shpjegim të bërë në platformën X. Musku vetë ka një vajzë transgjinore. Gjatë viteve të fundit, shefi i kompanive SpaceX dhe Tesla është shprehur hapur për politikën në vend dhe ka kritikuar shpesh administratën e Presidentit Biden dhe qëndrimet e demokratëve për çështje të ndryshme, përfshirë të drejtat e transgjinoreve dhe emigracionin.
Historikisht, votuesit në Kaliforni i kanë mbështetur kandidatët demokratë, ndërsa Teksasi konsiderohet një bastion i fuqishëm republikan.
Top Channel