Europian i suksesshëm në Gjermani, por nuk ka “përrallë vere” si në 2006-ën

15/07/2024 08:10

Organizatorët gjermanë të Euro 2024-ës morën frymë të lehtësuar pas finales së të dielës mes Spanjës dhe Anglisë, pasi kanë mbajtur një ngjarje pa probleme të mëdha, por nuk kanë arritur të përsërisin suksesin e Kupës së Botës 2006 në shtëpi.

Euro 2024 ka qenë ngjarja më e madhe sportive ndërkombëtare e Gjermanisë që nga Kupa e Botës 2006, e cila në atë kohë shkaktoi një valë masive entuziazmi në shtëpi, mbushi zonat e tifozëve në mbarë vendin dhe që atëherë është bërë e njohur si “përralla e verës”.

Ndonëse Europiani i këtij viti shkoi pa pengesa të mëdha si në nivelin operacional ashtu edhe në atë të sigurisë, nuk i është afruar aspak suksesit të Kupës së Botës 18 vjet më parë. Kombëtarja gjermane u eliminua në çerekfinale pa arritur asnjëherë formën më të mirë, duke i lënë nikoqirët me rreth dy javë pasion të ndrydhur nga tifozët vendas. Në Kupën e Botës 2006 Gjermania arriti në gjysmëfinale dhe më pas fitoi play off-in për vendin e tretë kundër Portugalisë.

Transporti midis 10 qyteteve që pritën ndeshjet ishte gjithashtu shumë larg efikasitetit mbresëlënës të vitit 2006, me vonesa që penalizuan tifozët dhe madje edhe ekipet, duke përfshirë skuadrën holandeze që iu desh të anulonte planet për një udhëtim me tren përpara gjysmëfinales së tyre kundër Anglisë dhe përfundimisht mbërriti katër orë më vonë se sa ishte planifikuar me avion.

Tifozët u ankuan në mediat sociale për këto ndërprerje dhe ministri i transportit tha se performanca e operatorit kombëtar hekurudhor nuk kishte përmbushur standardet e Gjermanisë gjatë ngjarjes.

Europiani e ka vënë efikasitetin e lavdëruar të Gjermanisë nën vëzhgimin ndërkombëtar, ndërsa vendi lufton për të modernizuar infrastrukturën e vjetër hekurudhore dhe për të rritur përpikërinë.

Edhe emërimi i Philip Lahm si drejtor i kompeticionit, ndonëse u mirëprit në fillim, nuk solli efektin e duhur, pasi ish-mbrojtësi nuk arriti të jetë protagonist. Krejt ndryshe ishte në 2006-ën me Beckenbauer, që shumë shpejt u bë fytyra identifikuese e Botërorit.

Moti gjithashtu nuk u tregua fort i qëndrueshëm, me stuhitë e verës dhe shirat e dendur gjatë ndeshjeve, një tjetër kontrast me muajin e qiellit blu gjatë gjithë verës së ngrohtë të 2006-ës. Zonat e tifozëve duhej të mbylleshin me raste për shkak të stuhive, por organizatorët raportuan për rreth 6 milionë vizitorë në to gjatë kompeticionit./SuperSport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA