Është zbardhur vrasja e një shqiptari ndodhur 14 vite më parë në Greqi.
Dritan Hoxha, në bashkëpunim me një tjetër shqiptar me iniciale B.B., i cili është i arrestuar në shtetin grek, dyshohet se vranë shqiptarin A.V., në zonën e Larisës më 17 maj 2010.
Ata ushtruan dhunë fizike ndaj shqiptarit, i cili ndërroi jetë nga plagët e marra.
Me pas dy të dyshuarit, e kanë futur trupin e viktimës në mjetin e tij dhe e kanë lëvizur atë në një vend tjetër, të pabanuar, ku është gjetur nga autoritetet policore greke, ditën e nesërme, më datë 18.05.2010.
Në vitin 2017, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, është përcjellë në Prokurorinë e Përgjithshme, kërkesa e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit në Larisa, Greqi, si dhe dokumentacioni përkatës për ushtrimin e ndjekjes penale në Republikën e Shqipërisë në ngarkim të shtetasit Dritan Hoxha, i shpallur në kërkim nga autoritetet greke, në lidhje me këtë ngjarje.
Në vlerësim të provave dhe fakteve të grumbulluar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr 1734 akti, datë 09.07.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, ndaj personit nën hetim Dritan Hoxha, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, kryer ne bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78-25 të Kodit Penal.
Më datë 10.07.2024, shërbimet policore të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me ato të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në fazën operacionale, në bashkëpunim dhe me shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe DVP Gjirokastër, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Dritan Hoxha, në lagjen “Hoxhaj”, Levan, Tepelenë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.
Top Channel