Familjet e indianëve të gënjyer për të luftuar për Rusinë, shpresojnë që qeveria t’i kthejë burrat (fotot)

09/07/2024 18:32
Ambika me dy vajzat

Rreth 50 familje indiane mbeten në pritje të hidhur teksa thonë se burrat e shtëpisë janë gënjyer me premtime te rreme pune për të luftuar për Rusinë në Ukrainë.

Ambika Tamang thotë se nuk e besoi asnjëherë kur bashkëshorti Urgen Tamang i tha se po shkonte për të punuar në Rusi në kohën e konfliktit.

Por ai insistonte dhe ata u ndanë në janar të këtij viti.

“Nevojitej për familjen tonë,” thotë 44 vjeçarja Ambika, në shtëpinë e saj në Kalimpong, në rajonin lindor indian Bengal. “Duhet të rrisnim vajzat me ato para.”

Kjo nevojë bëri që Urgen i cili punonte si roje private në Gujarat, rreth 2000 km larg shtëpisë, të shkonte në Rusi pasi i pagoi një ndërmjetësi disa mijëra dollarë nga kursimet e familjes.

Urgen nuk kishte qenë kurrë jashtë vendit ndërsa shpejt e gjeti veten të armatosur në frontin e luftës ruse kundër Ukrainës.

Familja Tamang ndjehet e mashtruar dhe Ambika mundohet të mësojë informacione nga konflikti largët.

“Ai nuk donte ta bënte këtë, kjo nuk është lufta jonë,” thotë ajo për rrjetin Al Jazeera. “Kam frikë për të.”

Si ajo dhjetra familje të tjera indiane presin me ankth pasi të afërmit janë gënjyer me premtime parash për të luftuar ose punuar në front, ndërsa të paktën katër rekrutë indianë kanë humbur jetën dhe fati i disa të tjerëve nuk dihet.

Vizita e parë që prej nisjes së luftës e kryeministrit indian Narendra Modi dje në Moskë, pritet të sjellë lirimin e dhjetra ushtarëve indianë të Rusisë, siç përmendnin mediat vendase.

Të afërmit thonë se kur Urgen shkoi në Rusi, nisi të punonte me telefonata audio, ndërsa gruaja Ambika thotë se dikush e kontaktoi më 22 mars për ta sinjalizuar për një video në rrjetin YouTube ku shfaqej bashkëshorti i saj.

“Jam i bllokuar këtu, ju lutem më shpëtoni,” thotë Tamang në video, duke iu drejtuar autoriteteve indiane. “Ndërmjetësi më gënjeu … ju lutem më shpëtoni.”

Prej atëherë Ambika thotë se ka kontaktuar disa herë me bashkëshortin që e ka siguruar se është mirë por duhet të punojë në front.

Çështja e njerëzve të gënjyer për të luftuar në front me premtime vende të rreme pune, është një përpjekje e vjetër diplomatike mes Indisë e Rusisë.

Çështja u ngrit nga minsitri i jashtëm indian S Jaishankar me homologun rus Sergey Lavrov në samitin e Astana muajin e shkuar.

Ankesa për rekrutime të tilla manipuluese janë bërë gjithashtu nga vende si Nepal, Sri Lanka, e Kina, teksa Nepali ka bërë kërkesë formale Rusisë për kthimin e qytetarëve të tyre nga zonat e luftës, të dërguar atje me mashtrim apo me forcë.

Familja e Tamang në Kalimpong pret me shpresë nga bisedimet e kryeministrit indian në Moskë për kthimin e të shoqit. “Sa kohë duhet t’i gënjej fëmijëve të mi?”, thotë gruaja për rrjetin Al Jaseera.

FOTO GALERI
1/3
Të afërmit thonë se kur Urgen shkoi në Rusi, nisi të punonte me telefonata audio, ndërsa gruaja Ambika thotë se dikush e kontaktoi më 22 mars për ta sinjalizuar për një video në rrjetin YouTube ku shfaqej bashkëshorti i saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA