Mbi 200 viktima nga tërmeti tragjik në Kolumbi/ Thellohet bilanci, raportohet për 3000 të të zhdukur nën rrënoja

11/08/2026 20:19

Ka shkuar në 224 numri i viktimave nga tërmeti katastrofik me magnitudë 7.4 të shkallës rihter në Kolumbi, ndërsa të paktën 3 mijë njerëz rezultojnë të zhdukur.

Ekipet e shpëtimit vijojnë pa ndërprerë kërkimet nën rrënoja për të gjetur të mbijetuar.

“Çdo minutë ka rëndësi, kemi gjetur jetë nën rrënoja”, pohojnë autoritetet, ndërsa ka ende shpresë për të gjallë 24 orë pas tërmetit.

Gjatë orëve të fundit, ekipet e emergjencave nxorën të paktën pesë të mbijetuar nga një hotel pjesërisht i shembur. Dëmet e tërmetit janë të mëdha, me qindra shtëpi të shkatërruara plotësisht.

Vendi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa Kisha katolike kolumbiane është mobilizuar për të ndihmuar familjet e prekura.

Tërmeti i fuqishëm që goditi mëngjesin e 10 gushtit zonat perëndimore të Kolumbisë ka lënë pas një situatë të rëndë humanitare.

Lëkundja me magnitudë 7.4 dhe me epiqendër në departamentin e Çokos, pranë bregdetit të Paqësorit, u ndje në një pjesë të madhe të vendit dhe shkaktoi dëme të mëdha në disa qytete të vendit.

 

Top Channel