Pas 20 vitesh shqiptarët nuk do të ushqehen më me mish Brazili.
Kjo ndërprerje e marrëdhënies tregtare vjen pas vendimit të BE-së për t’u furnizuar me produkte të origjinës shtazore nga Brazili.
Ky përfundim erdhi pas qëndrimit unanim që mbajtën ekspertët e shteteve anëtare, për shkak të përdorimit të medikamenteve veterinare që rrisin masën muskulare të kafshëve.
Top Channel ka arritur të sigurojë një shkresë përcjellëse, ku Ministria e Bujqësisë i përgjigjet AKU-së se si duhet të veprojë me tregtarët që sjellin mishin e Brazilit në vendin tonë.
“Në këto kushte, për sa kohë që Urdhri i Ministrit I.2006 e kushtëzon importimin me miratimin nga BE-ja të zonave dhe stabilimenteve të prodhimit, ndryshimet e sjella me Rregulloren Zbatuese të Komisionit 2026 reflektohen drejtpërdrejt në zbatimin e këtij urdhri.”
Gjithashtu, Ministri i lë detyra AKU-së që të njoftojë bizneset për ndërprerjen tregtare midis Shqipërisë dhe Brazilit.
“Për sa më lart, AKU të marrë të gjitha masat e nevojshme për njoftimin e operatorëve të biznesit që importojnë mish gjedhi dhe mish shpendësh nga Brazili mbi ndryshimet e mësipërme, zbatimi i të cilave fillon nga data 3 shtator 2026.”
Nga viti 2006 e deri më tani, Brazili ka qenë furnizuesi kryesor me mish viçi, derri, lope dhe pule. Gjithashtu, ky mish ishte dhe burimi kryesor për industrinë e përpunimit të mishit.
Nëse i referohemi të dhënave nga WITS të Bankës Botërore, në vitin 2024 Shqipëria importoi nga Brazili 28.5 milionë dollarë mish dhe të brendshme, nga të cilat 10.1 milionë dollarë ishin mish dhe të kategorisë së shpendëve. Pas këtij vendimi, Shqipëria duhet të kërkojë një treg të ri mishi që nuk ofron vetëm çmimin e lirë dhe sasinë, por që mbi të gjitha të garantojë sigurinë ushqimore.
Top Channel