Festa e 4 korrikut, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ka në bazë të saj ushqimet dhe kulturën amerikane: paradat, gatimet në ambient të hapur shoqëruar me birrë të ftohtë dhe sigurisht fishekzjarret.
Pushimet që përkojnë me 4 korrikun dhe fundjavën pas, pritet të sjellin një rekord të ri, sa i përket njerëzve që do të udhëtojnë.
Agjencia amerikane që merret me çështje të sigurisë së transportit, TSA, parashikon që oficerët e saj do të kontrollojnë më shumë se 3 milionë udhëtarë në aeroportet amerikane të dielën, duke thyer rekordin që ishte vendosur më 23 qershor.
Sipas autoriteteve numri i udhëtarëve do të jetë 5% më i lartë se sa ishte verën e kaluar. Po ashtu më shumë se 60 milionë njerëz pritet të udhëtojnë me makinë gjatë periudhës së pushimeve.
Ekspertët thonë se për rritjen e udhëtimeve ka një ndikim edhe lehtësimi i inflacionit edhe pse amerikanët mbeten të shqetësuar për ekonominë.
Paralajmërimet për temperatura të larta kanë bërë që amerikanët të rimendojnë planet e tyre të udhëtimit të 4 korrikut dhe kanë shkaktuar me nxitim drejt vendeve më të freskëta ose drejt destiacioneve pranë ujit, treguan të dhënat nga Booking.com, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Për periudhën 3 korrik deri më 7 korrik, Panama City Beach në Florida, pësoi një rritje prej 32% në rezervime, ndërsa Myrtle Beach në Karolinën e Jugut regjistroi një rritje prej 30%.
Kompania “United Airlines” pret që kjo fundjavë të jetë më e ngarkuara në histori dhe pret të fluturojë mesatarisht 520 mijë njerëz.
Festa e 4 korrikut në përgjithësi bashkon amerikanët në dashurinë e tyre të përbashkët për vendin, festimet e këtij viti ndodhin teksa ka një polarizimi të thellë politik për zgjedhjet presidenciale.
Dita e Pavarësisë përkujton 4 korrikun e vitit 1776, kur Kongresi Kontinental miratoi bashkarisht Deklaratën e Pavarësisë, një dokument përmes së cilit kolonitë amerikane njoftuan shkëputjen nga Britania e Madhe.
Një vit më vonë, sipas Bibliotekës së Kongresit, në Filadelfia pati festime spontane për të shënuar përvjetorinë e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Por në kombin në zhvillim, festimet nuk u bënë të zakonta deri pas luftës së vitit 1812. Biblioteka e Kongresit vë në dukje se ceremonitë përuruese për veprat kryesore historike në shekullin e 19-të, si kanali Erie në Nju Jork dhe hekurudhat në Baltimore dhe Ohajo, ishi planifikuar të përkonin me veprimtaritë festive të 4 korrikut.
Shpërthimi i fishekzjarreve ka qenë pjesë e festimeve të Ditës së Pavarësisë që në krye të herës.
John Adams, një prej etërve që themeluan Amerikën, e kishte të qartë se çfarë domethënie do të kishte kjo festë.
Përkujtimi i pavarësisë së Amerikës “duhet të kremtohet plot madhështi, me parada, shfaqje, lojëra, sporte, kambana, zjarre, dhe ndriçime nga njëri skaj i kontinentit tek tjetri, tani dhe përgjithmonë”, shkruante ai në një letër drejtuar bashkëshortes, Abigail në 3 korrik të vitit 1776./ VOA
Top Channel