Apeli i dha vulën Berishës, Noka letër Bashës: Mos përdorni më paratë dhe asetet e PD, na ktheni…

03/07/2024 17:34

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka i dërgon shkresë Lulzim Bashës ku i kërkon të mos përdorë paratë dhe as simbolet e PD-së.

Gjithashtu ai i kërkon që brenda tri ditësh të dorëzojë çdo aset që i përket Partisë Demokratike.

Noka përmes letrës, paralajmëron  Bashën se përdorimi  i simboleve dhe aseteve të Partisë Demokratike përbën kundravajtje ligjore dhe për çdo shkelje do të ndiqet penalisht.

Shkresa e plotë e Nokës drejtuar Bashës.

“Ashtu si edhe jeni në dijeni, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me anë të vendimit nr.723 date 11.06.2024 ka vendosur mospranimimin e ankimit ndaj Vendimit nr.3 date 25.03.2022 te Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Tiranë duke i dhënë këtij të fundit formë të prerë dhe duke e bërë menjëherë të ekzekutueshëm. Objekti i kësaj vendimmarrje certifikon ligjërisht shkarkimin tuaj si ish kryetar i Partisë Demokratike dhe bën njohjen përfundimtare të organeve të reja drejtuese dhe përfaqësuese të PDSH.

Për sa më sipër, duke konsideruar se ligjërisht efektet e vendimit nr.723 datë 11.06.2024 fillon menjëherë, që në datën e marrjes së tij, pavarësisht nga vënia në dispozicion e vendimit të arsyetuar, kërkojmë nga ana juaj që të merrni të gjitha masat për të ndaluar çdo lloj veprimi që ju ose të autorizuarit prej jush mund të kryeni lidhur me asetet e Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga data 11.06.2024. Këto asete përfshijnë por nuk kufizohen në, ambiente të marra me qira nga ana e PDSH, llogari bankare të PDSH, domain zyrtar i internetit të PDSH si dhe faqet zyrtare të PDSH në rrjetet sociale Facebook, Instagram, Tik Tok etj.

Gjithashtu kërkojmë nga ana juaj që të mos përdorni simbolet identifikuese të PDSH të cilat me vendimmarrjet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021 të PDSH janë shfuqizuar si dhe në komunikimin publik të mos t’i drejtoheni publikut si Partia Demokratike e Shqipërise për sa kohë nuk keni asnjë tagër përfaqësimi.

Ftojmë të caktoni përfaqësuesit tuaj që brenda tre ditëve nga marrja e kësaj shkrese të kryeni veprimet përkatëse për dorëzimin ligjor të çdo aseti të PDSH i cili ndodhet ne administrimin tuaj.

Ju bëjmë me dije që administrimi i çdo aseti të PDSH që nga data 11.06.2024 është nën një monitorim të vazhdueshëm nga ana jonë dhe për çdo veprim mbi to, i cili bie ndesh me interesat e PDSH nga ana jone do të bëhet kallëzim penal në organet kompetente, SPAK, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane, si dhe eventualisht do të kërkojmë dëmshpërblim ne rrugë gjyqësore mbi pasuritë personale të personave përgjegjës, të cilët me veprime ose mosveprime cenojnë interesat e Partisë Demokratike të Shqipërisë”, sipas shkresës së Nokës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA