Qytetarët iranianë kanë filluar votimin të premten herët në zgjedhjet e parakohshme presidenciale, në të cilat katër kandidatë garojnë për ta zëvendësuar të ndjerin Ebrahim Raisi, i cili humbi jetën nga rrëzimi i helikopterit para më shumë së një muaji.
Kandidatët, përfshirë një reformist të vetëm, janë përzgjedhur nga pushteti politik i republikës islamike.
Fituesi mund të luajë rol kyç në zgjedhjen e pasuesit të liderit suprem në moshë të shkuar, Ayatollah Ali Khamenei, në një kohë kur zemërimi është i madh në Iran për shkak të mungesës së lirisë, kushteve të këqija të jetës dhe ekonomisë së dobët.
Asnjë kandidat nuk pritet të sigurojë vota të mjaftueshme më 28 qershor për t’u shpallur fitues i garës presidenciale.
Një kandidat duhet t’i fitojë së paku 50 për qind të votave për ta fituar garën. Një balotazh i mundshëm është caktuar për 5 korrik.
Analistët e kanë cilësuar këtë si një garë mes tre kandidatëve. Dy konservatorë të krahut të ashpër, ish-negociatori për çështje bërthamore Saeed Jalili, dhe kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf. Si dhe reformisti Masoud Pezeshkian, i cili është rreshtuar përkrah atyre që kërkojnë kthimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 më fuqitë botërore.
Përpjekjet në çastet e fundit nga konservatorët për të arritur pajtim për mbështetjen e vetëm një kandidati dështuan një ditë para mbajtjes së votimit, pasi as Qalibaf e as Jalini nuk hoqën dorë për ta mbështetur njërin apo tjetrin.
Konservatorët kanë shprehur shqetësim se mungesa e unitetit mund ta ndajë votën dhe kështu do të përfitonte kandidati reformist Pezeshkian.
Zgjedhjet në republikën islamike janë të kontrolluara, pasi kandidatët përzgjidhen paraprakisht nga një trup i pazgjedhur, i cili është i mbizotëruar nga konservatorët e krahut të ashpër.
Sipas vëzhguesve, mungesa e një gare relativisht konkurruese do ta dëmtojë edhe pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.
Në tri palë zgjedhjet e fundit të mëdha në Iran – vend me rreth 88 milionë banorë – kishte pjesëmarrje rekorde të ulët./REL
Top Channel