Mbi 19 mijë nxënës të shkollave të mesme i janë nënshtruar testit të Maturës Shtetërore këtë të shtunë në Kosovë.
Kësaj radhe aplikimi për të iu nënshtruar testit të maturës do të duhej të bëhej përmes platformës e-Kosova dhe si pasojë e mosplotësimit të saktë të të dhënave, rreth 500 nxënës nuk arritën t’i nënshtroheshin këtij procesi.
Testimi nisi në orën 10:00 dhe kishin dy orë e gjysmë kohë për t’u përgjigjur në 100 pyetje nga katër lëndë, gjuha shqipe dhe letërsia, gjuha angleze, matematika dhe një lëndë zgjedhore që e përzgjedhin vetë nxënësit.
Edhe këtë vit, pyetjet dhe përgjigjet e testit të maturës u shpërndanë nëpër rrjetet sociale. Në një grup në që ka mbi shtatë mijë anëtarë, nxënësit dërgonin me fotografi testin dhe merrnin përgjigje nga disa anëtarë të tjerë, përkundër që përdorimi i telefonit ishte i ndaluar.
Për këtë arsye Ministria e Arsimit kishte marrë vendim që nxënësit të shpërndaheshin nëpër 178 qendra testimi në të gjithë Kosovën, por as kjo nuk i ka penguar ata për të kopjuar. Në një nga shkollat e Prishtinës, drejtori i shkollës tha se nuk kishte pasur ankesa të regjistruara.
“Në fillim iu kam treguar që nuk lejohet përdorimi i telefonit dhe deri më tani nuk kemi ankesë nga administratorët se është tentuar të kopjohet përmes telefonit”, tha Visar Osmani, drejtor i shkollës Emin Duraku, Prishtinë.
Pragu i kalueshmërisë në Provimin e Maturës është 40% e totalit te pikëve dhe vetëm ata që e kalojnë këtë prag mund të aplikojnë për regjistrim në universitet. Ata që nuk arrijnë të kalojnë pragun në qershor do të kenë edhe një mundësi në afatin e dytë më 31 gusht. Rezultatet e Testit të Maturës Shtetërore publikohen me 3 korrik.
Top Channel