Pasi hoqi masën e pezullimit nga detyra për një kryeinspektor në Lushnjë, i hetuar për shpërthimin në biznesin e deputetit Bujar Çela, gjykata e Posaçme ka zbutur qëndrimin dhe për një tjetër të dyshuar.
Anila Hoxha raporton për Top Channel se gjykata pas kërkesës së Eugert Sinës më datën 14.06.2024, për shuarje të masës së sigurimit personal vendosi ta pranojë pjesërisht kërkesën e tij.
Gjyqtari Erjon Bani, me vendimin Nr. 368, vendosi konstatimin e humbjes së fuqisë së masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar nga neni 242 i Kodit të Proçedurës Peanle, caktuar ndaj personit nën hetim Eugert Sina, me vendimin Nr.62-2024-1217, datë 05.03.2024, të Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Fier, miratuar me vendimin nr.24, datë 18.03.2024, të Gjykatës së së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lënë në fuqi me vendimin nr.19(87-2024-132) datë 16.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi”, deklaroi gjykata antikorrupsion.
Top Channel