Shqipëria po pret konfirmimin nga Këshilli Evropian i Pagesave për tu bërë zyrtarisht pjesë e sistemit evropian të pagesave ku bëjnë pjese edhe 36 shtete të tjera.
Përfitimet që merr vendi nga ky hap ishte temë kryesore e një trajnimi të zhvilluar mes aktorëve financiarë të tregut në Shqipëri dhe Bankës Botërore. Guvernatori Sejko u shpreh se nëpërmjet nismës qytetarët do të përdorin gjithnjë e më pak paranë fizike
“Thjeshtësia, komoditeti dhe efikasiteti janë tre përfitimet kryesore nga anëtarësimi për konsumatorët dhe bizneset. Nëpërmjet SEPA qytetarët do të bëjnë pagesa dhe transferta sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian. Projeksionet janë që ekonomia shqiptare do të përfitojë qindra milionë euro nga anëtarësimi në SEPA. Përmbushja e këtij objektivi shënon dhe një nga hapat e parë drejt realizimit të angazhimeve në kuadër Planit të ri të rritjes në Ballkanin perëndimor që do të mundësojë përthithjen nga ana e Shqipërisë të fondeve të disponueshme dhe krijimit të një rruge më të qëndrueshme të vendit brenda vitit 20230″, tha Sejko.
Banka Botërore që ka asistuar nga fillimi aplikimin e Shqipërisë për modernizimin e sistemit të pagesave tha me shifra konkrete përfitimet që do t’i vijën qytetarëve dhe bizneseve nga integrimi në SEPA
“Më lini t’ju jap një shembull se çfarë impakti presim. Për tregun e brendshëm nëse Shqipëria shkon nga paraja fizike drejt asaj elektronike kjo do të rriste PBB-në me 1% nga sektori i shërbimeve. Në frontin ndërkufitar sistemet moderne të pagesave kanë mundësinë që të lehtësojnë tregtinë për bizneset dhe dërgimin e remitancave për familjet. Emigrantët shqiptarë dhe familjet e tyre mund të kursejnë deri në 100 milion euro me kostot e tyre që mund të zbresin deri në 3%. Sa i përket bizneseve ato mund të kursejnë deri në dhjetë herë për një transaksion të thjeshtë prej 5 mijë eurosh dhe deri në 17 herë, nëse shuma e transaksionit rritet”, u shpreh Matija Laco, Menaxherit i projektit të modernizimit të pagesave për BP, Banka Botërore.
Sa i përket përfshirjes financiare të qytetarëve Banka e Shqipërisë ka përllogaritur se në 2023-shin rreth 78% e popullsisë shqiptare adulte zotëron një llogari bankare. Ndërkohë edhe numri i pagesave elektronike për frymë është rritur në 2023 në 21, nga 4 pagesa për frymë në vitin 2017.
Top Channel