Kushtuan 30 milionë euro, pas denoncimit në Fiks Fare vihen në punë ashensorët në pallatet e rindërtimit në Shijak

14/06/2024 20:45

Në muajin mars 2024, Fiks Fare transmetoi problematikën e banorëve të lagjes “Lugina” në Shijak, një lagje e rindërtuar nga tërmeti.

Pallatet në atë zonë kushtuan 30 milionë euro, por banorët u ankuan për mungesën e ashensorëve, bodrume me ujëra të zeza dhe pa lulishte.

Të moshuarit e sëmurë, gratë shtatzënë dhe të miturit ngjiteshin në katet e larta me shkallë. Problem i banorëve ishin edhe bodrumet të mbushen me ujëra të zeza. Gjithashtu firmat e ndërtimit lanë pa bërë edhe lulishtet dhe zonat e gjelbra, teksa banorët përveshën mëngët dhe po i mirëmbajnë vetë.

Fiksi faktoi disa javë më parë se në vitet 2020 dhe 2021 janë bërë 5 procedura tenderuese, me vlerë 2.7 miliardë lekë. Madje, janë bërë edhe procedura për ndërtimin e rrjetit rrugor dhe infrastrukturor me vlerë 200 milionë lekë. Në të gjithë lagjen “Lugina”, u ndërtuan 31 pallate, në një sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë. Në mars 2024, nënkryetarja e Bashkisë së Shijakut, Shpresa Domi, tha se do merrte kontakte me firmës dhe FSHZH-në për zgjidhjen e problematikës.

Grupi i Fiks Fare shkoi sërish disa ditë më parë në lagjen “Lugina”, pasi ashensorët janë vënë më në fund në punë. Gazetarët shkuan në të njëjtat pallate, që i filmoi në mars. “Erdhën dhe i vendosën. Më në fund, tani ngjitemi dhe zbresim lirisht. Faleminderit Fiksit që na zgjidhën këtë problem” pohuan banorët, që u ankuan disa javë më parë.

Një tjetër pohon se ajo dhe burri i saj kanë disa sëmundje shoqëruese. “Mendoheshim disa herë të zbrisnim. Nga e keqja dilnim se duhet të bënim vizita dhe analiza mjekësore. Tani zbresim lirisht dhe për këtë ju falënderojmë” pohon zonja, e cila nga gëzimi qeras edhe grupin e Fiks Fare me karamele.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA