Rama: Turizmi në 2030, spektakolar! Kryeministri: Brenda dekadës përfundon ndërtimi i infrastrukturës

12/06/2024 14:59

Kryeministri Edi Rama parashikon që deri në vitin 2030, Shqipëria do të jetë Europa e Ballkanit me  një ofertë turistike të plotë dhe cilësore.

Gjatë prezantimit të kalendarit turistik, Rama njoftoi se pushimet e turistëve do të jenë më të organizuara me shkarkimin e aplikacionit TEA, i kthyer tashmë në një udhërrëfyes mbi aktivitetet kulturore, që ka rritur në mënyrë të pabesueshme sipas tij edhe numrin e vizitorëve.

“Monumentet historike dhe sitet arkeologjike vetëm në katërmujorin e parë të vitit janë vizituar nga 182 mijë vizitorë, ndërkohë që parqet tona kombëtare janë vizituar nga rreth 800 mijë vizitorë”, tha Rama.

Sezoni i ri veror pritet të ketë inagurime infrastrukturore që do të ndihmojnë turizmin dhe do të konkurrojnë rajonin, lajmëroi kryeministri.

“Duke filluar nga Tuneli i Llogorasë, një ide e vjetër, një zotim legjendar i të gjitha forcave politike në të gjitha fushata i cili këtë sezon do të jetë i kalueshëm për ata që do të shkojnë në jug apo që do të vijnë nga jugu duke vazhduar me rrugën Orikum-Dukat që zbulon një tjetër pjesë të panjohur. Hapim garën në fund të këtij muaji për Milot-Balldren dhe pastaj Balldren-Muriqan për të bërë lidhjen e me Malin e Zi. Kjo infrastrukturë do të jetë e përfunduar Brenda dekadës. Shqipëria e 2030 do të këtë një ofertë turistike spektakolare në aspektin e transportit”,tha Rama.

Por jo vetëm transporti rrugor, por planet e qeverisë socialiste janë edhe për rritjen e udhëtarëve përmes transportit ajror duke zgjeruar kapacitetet e aeroporteve.

“Aeroporti i Vlorës sipas të gjitha gjasave do të përfundojë punimet brenda këtij viti. Do të kalojë në periudhën e testit dhe certifikimeve në 6 mujorin e vitit të ardhshëm. Do të jetë operacional në sezonin  ardhshëm turistik me një operator, që është aeroporti i Mynihut. Do të hapet gara për aeroportin e Gjirokastrës”, tha Rama.

Vëmendjen Rama e ka edhe te emigrantët, të cilëve ju kërkon që përvojën e tyre në sipërmarrjet turistike ta sjellin në vendin e tyre, se nuk do të zhgënjehen nga shpërblimi.

“Ata që punojnë në Greqi në hotele, restorante, kamerierë, menaxherë, nëse i bien lapsi krahasuar me ofertën që kanë këtu në sektorin e shërbimeve dhe nëse e nuk marrin të mirëqenë të gjitha fjalët e kafeneve, llogaria në fund të muajit i del më mirë. Ata e dinë më mirë se të gjithë se janë në gjendje të ofrojnë paga konkurruese me Greqinë, të afërta me Italinë në këto shërbime dhe ndeshen në këtë pengesë psikologjike për të kuptuar se sot Shqipëria është e gatshme të përfshijë në tregun e punës ata”, tha ai.

Top Channel