Një agjent i infiltruar është stërvitur dhe futur në lojë nga SPAK për t’u prezantuar tek grupi kriminal i goditur së fundmi, si një i interesuar që po planifikonte të largohej drejt ëndrrës së tij amerikane.
Hetimi dy vjeçar zbuloi se 37 persona vepruan si grup kriminal duke shfrytëzuar dy agjenci udhëtimi, dy laboratore të falsifikimit të dokumenteve dhe kontaktet e tyre në Spanjë, për të kaluar dhjetëra shqiptarë drejt Kanadasë, ShBA dhe Anglisë.
Me 32 persona nën masa sigurie personale dhe pesë ende në kërkim, prokurorja e çështjes i tha këtë të diel gjyqtarit Erjon Cela se grupi realizoi kalimin e paligjshëm të kufirit të 44 shtetasve shqiptarë, të cilët nga vëzhgimet intensive, fotografimet dhe veprimet hetimore rezulton se paguan shuma nga 12 mijë deri në 18 mijë euro për t’u larguar nga Shqipëria sikur ishin me dokumente evropiane.
Pagesat jepeshin menjëherë sapo emigranti i paraqitur në pikat kufitare si shtetas slloven, italian dhe rumun mbërrinte në destinacionin e kërkuar.
Si organizator hetimet dyshojnë Bashkim Sulajn i cili aktivizoi një tjetër anëtar identifikuar si Xhelal Krasniqi për të prodhuar pasaporta karta ID deri ne karta bankare në një laborator në Kosovë.
Një tjetër filial ishte hapur në Tiranë nga shtetasi Ylli Brahimaj dhe dokumentet false transportoheshin me autobusët e dy agjencive drejt Spanjës përdorur si korridor kalimi nga të dyshuarit. Edhe administratorët e agjencive janë nën hetim së bashku me shtatë shoferë autobusësh, njëri prej të cilëve u arrestua në Hungari.
SPAK tha në gjykatë se një efektiv policie i komisariatit numër 5 shpërdoroi detyrën pasi kishte dijeni për aktivitetin e paligjshëm dhe nuk e referoi çështjen, dhe se një avokate udhëzonte të interesuarit si të aplikonin për vizë.
Edhe ata janë përfshirë në të njëjtën dosje të SSPAK, që mori dosjen mbasi prokuroria e Tiranës shpalli mos kompetencën.
Top Channel