Daichi Kamada drejt largimit nga Lazio. Mesfushori japonez iu bashkua bardhekaltërve verën e kaluar me parametra zero, pasi i kishte përfunduar kontrata me Eintrachtin e Frankfurtit, por duket se do të lërë kryeqytetin italian pas vetëm një sezoni.

Futbollisti 28-vjeçar firmosi një kontratë një vjeçare me Lazion, duke mbajtur në duart e tij mundësinë e rinovimit të saj edhe për tre sezone të tjera, brenda datës 31 maj.

Megjithatë japonezi nuk e ka ushtruar këtë opsion, duke dalë tashmë një futbollist i lirë dhe pritet të vendosë vetë për të ardhmen. Kamada luajti shumë pak me Sarrin në stol, por mori besimin maksimal nga Tudor, i cili jo vetëm që e aktivizoi titullar, por edhe e lavdëroi disa herë publikisht.

Megjithatë “lajkat” e kroatit nuk ndikuan që japonezi të rinovojë bashkëpunimin me Lazion, teksa nga 14 qershori, do të jetë i lirë të vendosë vetë për të ardhmen e tij.

Drejtori Sportiv i Lazios, Angelo Fabiani pranoi se do të jetë e vështirë që të arrihet një tjetër marrëveshje, teksa media angleze bën me dije se e ardhmja e Daichi Kamadës do të jetë në Premier League, aty ku e pret Crystal Palace./Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA