Ishte duke punuar në një pallat, rrëzohet për vdekje një 53-vjeçar në Tiranë! Rasti i tretë në punë, në një muaj

27/05/2024 08:49

Një 53-vjeçar humbi jetën sot në vendin e punës.

Argjend Fejzullah u rrëzua nga lartësia e këtij pallati në ndërtim të firmës Andi Construction në zonën e kinostudios në kryeqytet.  Ai humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes. Dyshohet se shkak për ngjarjen kanë qenë mosrespektimi i rregullave të sigurisë në punë nga kompania Andi Construction. Dukshëm ky pallat që është ende i pa përfunduar nuk i ruan punëtorët e tij me skela apo me rrjeta siç parashikojnë rregullat.

Për humbjen e jetës së 53- vjeçarit Argjend Fejzullah policia ka shoqëruar në komisariat inxhinierin dhe përgjegjësin teknik që dyshohen për shkelje të rregullave të sigurisë në punë ndërkohë që nga fillimi i vitit në të gjithë vendin policia ka evidentuar 20 raste të kësaj vepre penale.

Kantieret e ndërtimit shndërrohen shpesh në vendngjarje duke marrë jetë punëtorësh.  Vetëm gjatë këtij maji u shënuan dy raste në Lezhë ku dy punëtorë humbën jetën. Për shkak të mosrespektimit të rregullave të ekspozuar ndaj rrezikut janë edhe kalimtarët. Në janar të këtij viti nga shembja e skelave të një pallati në ndërtim të firmës Arlis Construcion të lënduar mbetën 2 kalimtarë.

në të shumtën e rasteve në pranga bien inxhinierët dhe teknikët por historia vijo përsëritet duke marrë sërish jetë njerëzish që punojnë në terrene aspak të kontrolluara nga inspektoratet përgjegjëse dhe policia.

Top Channel