Gjykata e Tiranës aprovoi katër masa arrest me burg dhe katër masa arrest shtëpiak, ndaj përmbaruesve dhe administratorëve të institucioneve financiare që dyshohen se abuzuan me shlyerjen e kredive të këqija, duke detyruar dhjetëra qytetarë të rimerrnin kredi dhe duke ju sekuestruar pasuri shumëfish nga vlera e borxhit.
Për Kejda, Alketa Tanushi, dhe Jodisa Dervishi të pranishme në seancë, u vendos arrest shtëpie, dhe një masë e njëjtë u la në fuqi edhe për Elda Ibron, e cila rezulton se është jashtë vendit.
Nën arrest me burg do të mbahen Arben Meskuti, Edmind Mato, Aldo Daka dhe Alber Gega. I pesti, Alban Kote, do të vijojë në kërkim me arrest me burg në mungesë. Prokuroria e Tiranes akuzon se Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH përmes përmbaruesve morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija me një vlerë gati 7.2 milionë euro. Rastet e bllokimit të pasurive të qytetarëve shënuan sekuestro të 22 hektarëve tokë për për një kredi gati 1 milionë lekë. Të dyshuarit insistuan në gjykatë se janë prindër fëmijësh të mitur dhe kanë probleme shëndetësore ndaj masa duhej zbutur, por prokurori Arben Agovi kundërshtoi me argumentin se ata kanë prekur interesat e qytetarëve.
Ndërkohë, një hetim i dytë është deleguar prej javësh pranë SPAK për dyshimet e grupit kriminal dhe shpërdorimit të detyrës ndaj zyrtarëve të bankës.
Të gjithë të dyshuarit e skandalit të mikrokredive dyshohen për shpërdorim detyre.
Top Channel