“Shumë të vdekur e të lënduar”/ Tornado “fshin” të gjithë qytezën në SHBA

22/05/2024 08:43

Banorët e Greenfieldit në Iowa të Shteteve të Bashkuara e gjetën veten të pafuqishëm përballë furisë së motit: Qyteza e vogël është shkatërruar pothuajse e gjitha nga kalimi i një tornadoje të fuqishme, që ka marrë shumë jetë njerëzish e ka lënduar me dhjetëra të tjerë, siç pohuan autoritetet vendase.

Pamjet nga vendngjarja treguan një vazhdë shkatërrimesh; shtëpi të bëra rrafsh me tokën e gërmadha gjithandej.

“Një pjesë e mirë e qytezës, tani nuk ekziston më’, pohoi Alex Dinkla, zëdhënës i policisë në Iowa. “Mund të konfirmojmë se ka shumë viktima nga kjo tornado”, shtoi ai.

Për shkak se spitali i Greenfiledit gjithashtu ka pësuar dëme të mëdha nga tornadoja, të lënduarit u dërguan në spitalet e qyteteve fqinjë. Guvernatorja e Ajovës, Kim Reynolds, njoftoi se do të vizitojë nga afër Greenfieldin.

“Është ende shumë herët për një bilanc përfundimtar të pasojave të plota në terren, përgjigjet do të vijnë orët dhe në ditët në vijim”, tha ajo. Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së kishte bërë disa paralajmërime për tornado për shumicën e Ajouës dhe për disa shtete në afërsi të saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA