Fiks Fare/ Skandali i kredive, debia 7.100 lekë shkoi 1.4 milionë! MCA dhe FINAL shkelin vendimin e BSH-së

16/05/2024 20:40

Fiks Fare vijoi të denoncojë skandalin e kredive nga institucionet që mbledhin borxhe të këqija, Micro Credit Albania dhe FINAL. Këto dy institucione kanë sfiduar hapur Bankën e Shqipërisë dhe institucionet ligj zbatuese, pasi edhe pas pezullimit të licencës, vijojnë të zhvasin dhjetëra qytetarë.

Manovrat e MCA-së dhe së fundmi FINAL-it për mbledhjen e një borxhi të vogël, prej 7.100 lekë shkuan në ngrirjen e llogarive bankare dhe sekuestrimin e shtëpisë. Borxhi kaloi në disa duar, kredi pas kredie, dhe tashmë kur licenca i është pezulluar MCA-së ka hyrë në “lojë” kompania FINAL. Por të dyja kanë të njëjtën adresë, të njëjtët punonjës dhe bëjnë të njëjta marrëveshje. Për borxhin fillestar 7.100 lekë janë paguar rreth 1.4 milionë lekë dhe kërkohen edhe 280 mijë të tjera!

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua z. Fiqiri Bruçi. Ai thotë se bashkëshortja e tij ka marrë një overdraft në vitin 2006 me një shumë prej 160 mijë lekësh të rinj te një bankë e nivelit të dytë. Për këtë shumë kanë paguar 210 mijë lekë. “Bëra mbledhjet dhe mendova se i kisha shlyer. Kaluan disa vite dhe më njoftojnë se një pjesë e detyrimit, që ishte vetëm 7.100 lekë, i ishte shitur MCA-së, një shoqëri që mbledh borxhet e këqija. Në atë kohë MCA-ja kishte adresën pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe na kërkuan 250 mijë lekë” pohon Fiqiriu.

Sipas tij, fillimisht s’kanë pranuar, por kur iu bllokuan pagat në bankë, kanë shkuar te zyrat dhe aty janë “detyruar” të marrin një kredi. “Nuk e dimë se çfarë bëmë, shkuam te një bankë e nivelit të dytë dhe ata të MCA-së na nxorën kredi konsumatore. S’më dhanë asnjë kontratë. Vetëm një çek 250 mijë lekë, ku këto para kaluan nga llogaria e MCA-së po te llogaria e MCA-së” vijon qytetari. “S’morëm asnjë lekë në dorë. Nuk e kuptova se çfarë veprimesh bënë ata të MCA-së. Kaluan sërish disa vite dhe në vitin 2019 mësova se debia kishte shkuar në mbi 1 milionë lekë të rinj. Pagova njëherë 900 mijë, më pas nga 50 mijë, 30, 20 apo 10 mijë. Gjithsej i kam paguar MCA-së 1 milionë e 160 mijë lekë. Dhe këtu fusim edhe 210 mijë lekëshin te banka e nivelit të dytë dhe shuma shkon në afër 1.4 milionë të paguara” pohon qytetari.

Në vitin 2023, familja Bruçi ka bërë marrëveshje me MCA-në që këtë shumë të ngelur, 280 mijë lekë ta paguanin me këste. Kanë paguar disa këste dhe në prill të vitit 2024, kanë mësuar se ky detyrim i ishte shitur kompanisë FINAL sh.p.k, tashmë në vlerën 457 mijë lekë. “Detyrimi i mbetur i yni ishte 280 mijë dhe u njoftuam se MCA Albania ka bërë një akt-marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve tona brenda 12 muajve nga data e nënshkruar. Kjo akt-marrëveshje nuk rezulton të jetë firmosur nga ne” thotë denoncuesi.

Pas ankesës, ai shkon te zyrat e MCA-së, te ish-Stacioni i Trenit në Tiranë, ku pyet punonjësen se përse ia kanë shitur FINAL-it. “Ja ta shoh njëherë FINAL-in” i përgjigjet ajo, teksa i kërkon që të presë te i njëjti vend. Në fakt, denoncuesi shkoi te zyrat e Micro Credit Albania, por e njëjta punonjëse, pranon se do të shohë edhe debinë të institucioni FINAL. Janë të njëjtët punonjës, por vetëm ka ndryshuar emri, nga MCA te FINAL, pas pezullimit të licencës nga Banka e Shqipërisë.

Denoncuesi e pyet punonjësen se përse shkoi kjo shumë. “Ato mund të jenë tarifa përmbarimore Fiqiri, sepse ka kaluar në Përmbarim, e përfshirë në totalin e detyrimeve” i thotë ajo, teksa ai e pyet se ka paguar një shumë të konsiderueshme. “Po pra po, u rrit duke qenë se ty të është shtuar edhe tarifa përmbarimore për shkak të mos pagesës në kohë. Këtu ke totalin e detyrimit. Akt-marrëveshja nuk e pezullon procedurën përmbarimore” i thotë ajo. Ai e pyet edhe për kredinë konsumatorë që i dha MCA-ja, pa marrë ai asnjë para në dorë. “Këto para po ta shohësh këtu janë kaluar në llogarinë e Micro Credit. Ti nuk me më punë me bankën kreditore, që ty të ka dhënë kredi. Institucioni financiar, banka, që ty të ka dhënë kredi është xxx bank. Kredia është blerë nga Micro Credit. Më pas është shitur nga Micro Credit te FINAL” i thotë ajo, ndërsa më tej vijon se ajo që ka bërë MCA-ja është që e ka financuar që të mbyllë atë kredi të keqe dhe i ka dhënë kredi të re. Punonjësja pranon se detyrimi fillestar ka qenë 7,100 lekë, por kredia 250 mijë lekë ka qenë për të shlyer borxhin.

Ndërkohë, pas disa ditësh, të njëjtët punonjës e thërrasin sërish qytetarin në zyrat pranë ish-stacionit të Trenit në Tiranë. Në atë vend, punonjëset flasin edhe në emër të MCA-së dhe në emër të kompanisë FINAL. “Fiqiri do të bësh pagesën apo do të merremi me këto detaje një për një. Nëse do të merremi me këto, le të rrimë të merremi me fjalët çfarë është shkruar aty” i thonë ato, teksa i kërkojnë që ai të paguajë 290 mijë lekë. Qytetari e pyet disa herë se sa janë tarifat, përqindja apo detaje të tjera. “Ne s’e kemi të fiksuar, varet se si paguan ti. Varet sa e ke këstin. Varet sa e ke totalin. Varet se çfarë procedurash bëhen për detyrimin tënd. Ne nuk mund t’i kemi fikse në këtë mënyrë sepse, ty nuk të shtohet vetëm interesi se ty të janë shtuar edhe tarifat përmbarimore” i thotë ajo. Ai i kërkon edhe sa janë shërbimet përmbarimore.

“Jo nuk mund ta japim. Ne aktualisht e kemi 1 detyrimin dhe s’mund ta ndajmë në këtë rast, sa janë principal dhe sa janë interes. Sepse nuk jemi më në fazën fillestare që mund ta ndanim. Jemi në fazën ku janë bërë disa veprime për këtë detyrim. Kështu që s’mund ta ndajmë. Nuk mund ta jap dot të detajuar, nuk mund t’i ndajmë dot” i thotë ajo, teksa pohon se do t’i japë një vërtetim se sa paguar nga fillimi deri në vlerën e fundit, por nëse paguan 290 mijë lekëshin. “Vërtetim do të të jap, patjetër që po. Afati i pagesës ka qenë dje, kështu që deri në datën 20 unë nuk e di nëse të pres për pagesë” përfundon ajo. Pra, nëse nuk paguan këtë shumë, sërish vlera do të rritet!

Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë Bankës së Shqipërisë nëse institucioni financuar Micro Credit Albania është i licencuar dhe çfarë kredish jep. Në përgjigje për emisionin investigativ, Banka e Shqipërisë thotë se MCA është licencuar në vitin 2013 për dhënie mikrokredie dhe në vitin 2016 për veprimtarinë financiare të të gjitha formave të kredidhënies. “Pas pezullimit 1 vjeçar përgjatë vitit 2023, në datën 6 shkurt 2024 Banka e Shqipërisë ka pezulluar veprimtarinë e kredidhënies, përfshirë këtu edhe blerjen e kredive apo ristrukturimin e atyre ekzistuese, deri në datë 30 qershor 2024” thuhet në këtë përgjigje.

Por, siç konstatoi Fiks Fare, punonjësit e këtij institucioni vijojnë të bëjnë ristrukturime. “Gjatë kësaj kohe, – thotë banka, MCA-së i lejohet vetëm të shesë portofolin e kredive egzistuese tek palë të treta, të licencuara nga Banka e Shqipërisë. Dhe të reflektojë menjëherë në ulje të detyrimit të klientit për çdo pagesë të detyrimit nga ana e tyre. Pas 30 qershorit, subjekti do duhet të likuidohet”.

Në rastin konkret, MCA-ja ia shiti këtë kredi subjektit tjetër FINAL. Ky i fundit, jo vetëm që nuk uli detyrimet, por i dyfishoi. Të gjitha veprimet, si nga MCA-ja dhe FINAL-i janë bërë nga të njëjtët punonjës dhe në të njëjta zyra, në afërsi të ish-stacionit të Trenit në Tiranë. Këto në kundërshtim të vendimit të Bankës së Shqipërisë.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA