Kosova po shkon në zgjedhje! Reagon Besnik Tahiri: Shpërbërja e parlamentit ndodh kur Kryeministri shkarkohet ose jep dorëheqjen

14/05/2024 15:51

Shpërndarja e legjislaturës aktuale të Kuvendit të Kosovës po shihet si një mënyrë për të shkuar vendi në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Pas takimit të së hënës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, njëzëri thanë që kjo është mënyra më e lehtë.

Megjithatë, me këtë nuk pajtohen të gjitha partitë opozitare. Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri thotë se nuk e mbështesin një mocion të tillë.

“Shpërbërja e parlamentit për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës mund të ndodhë vetëm atëherë kur Kryeministri shkarkohet ose japë dorëheqje”, tha Tahiri.

Tahiri shton se Kurti me diskutimet për shpërndarjen e Kuvendit synon të mbulojë dështimet në qeverisjen e tij.

“Kryeministri i vendit një ditë para se të vendoset për anëtarësimin e Kosovës, ai merret me zgjedhje, me të vetmen arsye, me e mbulu një marre, me e mbulu një dështim total që ia ka dhënë Kosovës”, tha ai.

As Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e përkrahin idenë e shpërndarjes së Kuvendit për të shkuar në zgjedhje. Kjo parti, kërkon dorëheqjen e kryeministrit fillimisht.

“Kryeministri i Kosovës ka zgjedhur instrumentalizimin e opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh. Fatkeqësisht, në këtë instrumentalizim, ka gjetur aleatin. LDK-ja nuk e pranon këtë instrumentalizim në asnjë rrethanë”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

AAK-ja dhe LDK-ja refuzuan takimin e së hënës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Kreu i ekzekutivit tha se për datën e zgjedhjeve do të ftojë një takim tjetër me liderët e këtyre dy partive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA