Avokatët tunizianë protestojnë arrestimin e dhunshëm të koleges pas komenteve politike (fotot)

13/05/2024 19:29

Policë të maskuar bastisën dje selinë e avokatëve në kryeqytetin e Tunizisë për të arrestuar një prej tyre, në aktin e dënuar si zgjerim i fushatës së shtypjes së disidentëve nga autoritetet.

Sonia Dahmani, kritike e njohur e qeverisë, u arrestua pasi bëri komente ironike për Tunizinë në një program televiziv javës që shkoi.

Rrjedhimisht ajo u akuzua për “informacione të rreme” dhe “prishje të rendit publik”.

Gruaja bëhet viktima më e fundit e dekretit të kontestuar ligjor “54”, të lëshuar nga qeveria kundër ‘dezinformacionit’ dhe për të përndjekur kritikët e presidentit Kais Saied.

Këshilli i avokatëve tunizianë ka bërë thirrje për grevë kombëtare duke protestuar për arrestimin arbitrar.

Kolegët e Dahmani ishin mbledhur në ndërtesën e shoqatës së tyre për të protestuar lëshimin e një mandati arresti kundër saj, por policia në numra të mëdhenj kishte bastisur ambjentet.

Një televizion francez kishte transmetuar drejtpërdrejt arrestimin e avokates brenda selisë.

Shoqata e avokatëve ka një simbolikë të veçantë në Tunizi aq sa deri para revolucionit të “pranverës arabe” asnjë autoritet nuk mund të hynte brenda saj, tha avokatja vendase Fadoua Braham, për rrjetin Associated Press.

“Ndërsa sot shikojmë individë të maskuar që hyjnë me forcë dhe marrin një avokate sepse ka thënë një opinion në televizion”, shtoi avokatja, duke shtuar se ata që arrestuan Dahmani nuk dalloheshin qartësisht nëse ishin policë.

Të tjera shoqëri civile shprehën shqetësim për aktin dhe fushatën e shtypjes ndaj aktivistëve të të drejtave të njeriut, gazetarëve dhe liderëve të opozicionit./AFP/

FOTO GALERI
1/5
Këshilli i avokatëve tunizianë ka bërë thirrje për grevë kombëtare duke protestuar për arrestimin arbitrar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA