Prokuroria e Tiranës ka dhënë masat për 7 persona, të cilët akuzohen se kanë kryer skema mashtrimi me TVHS duke lëshuar fatura fiktive dhe duke i shkaktuar shtetit dëm prej 60 milionë lekësh.
Nga analizimi i fakteve, Prokuroria bën me dije se u provua se janë krijuar dhe regjistruar në mënyrë fiktive me anë të falsifikimeve, 17 subjekte tregtare, të gjitha me aksioner administrator dhe pjesëtar bordi drejtues, shtetas të huaj, përkatësisht 15 shtetas nga vende si Kuba, Spanja, Germania, Kroacia, Malta, Belgjika, Italia, India, Bangladeshi.
Të 17 subjektet tregtare kanë kryer shitje në mënyrë fiktive në vlerën 200,000,000 lekë, duke i shkaktuar një dëm shtetit në vlerën 60,000,000 lekë.
Nga verifikimi i kryer, këto subjekte nuk kanë pasur asnjëherë punonjës, mjete ose adresa sekondare për të kryer punimet të cilat kanë faturuar.
Nga të dhënat e sistemit TIMS, rezulton se të 15 shtetasit e huaj të cilët kanë firmosur regjistrimet e subjekteve pranë QKB-së, nuk kanë hyrë në asnjë moment në Territorin e Shqipërisë. Dokumentet e dorëzuara nga këta subjekte në QKB, Banka të nivelit të dytë (mandat magesa kapitali), caktimi ekspertëve kontabël në statutet e tyre, u provua se janë të falsifikuara.
Në total, subjektet fiktive kanë kryer shitje në vlerë 192,622,898 lekë (të dhëna nga vetëdeklarimi). Këto vlera të cilat dyshohet të jenë fiktive, janë faturuar vetëm te subjekti që operon në fushën e kromit.
Personi nën hetimi shtetasi A. D., (ish specialist pranë QKB-së Vlorë), ka mundur të kryej regjistrimin e katër subjekteve tregtatre, me status Sh.A (shoqëri aksionere).
Ndërsa personi tjetër nën hetim, shtetasi A. Ç. (ekonomist), ka krijuar kushtet për të furnizuar subjekte të treta nëpëmjet subjekteve fiktive për të cilat ka pasur akses në sistemet e tyre si dhe dokumentacionin tatimor (blloqe TVSH).
Sa më sipër, prokuroria dyshon se shtetasi A.Ç., A.D., M.L., A.A., R.R., A.A., F.D., duhet të hetohen për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, dhe kërkon “arrest ne burg” për shtetasin A.Ç., “detyrim paraqitje” për 5 të tjerët dhe “arrest shtëpie” për shtetasin A.D.
Top Channel