Tubimi në ditën e 116-të, protestuesit thirrje poshtë Kryeministrisë: Nesër para Kuvendit, bashkohuni me ne!

23/09/2026 19:00

Protesta është futur sot në ditën e saj të 116-të.

Si çdo ditë tjetër, protestuesit u grumbulluan në sheshin ‘Skënderbej’, për të marshuar më pas drejt bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, aty ku mbajtën fjalimet e përnatshme, poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama.

Edhe sot tubimi është shoqëruar me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.

Në shesh u bë edhe thirrja që ditën e nesërme, ndërsa në Kuvend do të mbahet seanca e radhës plenare, qytetarët të protestojnë jashtë godinës.

“Nesër në orën 09:30 minuta ju bëj thirrje që të jemi para parlamentit, që të protestojmë”, u shpreh një nga protestuesit.

Aktivisti Arben Kola i bëri thirrje SPAK-ut të vijojë me hetimet, ndërsa ftoi shqiptarët nga çdo anë e Shqipërisë të bashkohen në shesh.

“ I ftojmë shqiptarët nga të gjitha cepat e Shqipërisë të bashkohen këtu në shesh, që të bëjmë të mundur revolucionin dhe shporrjen e qeverisë më të korruptuar në Europë, e udhëhequr nga Rama”, u shpreh Kola.

Top Channel