Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përfundoi një udhëtim në Lindjen e Mesme, ndërkohë që nuk ka njoftime për një armëpushim apo marrëveshje për pengjet mes Izraelit dhe Hamasit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, kryeministri Benjamin Netanyahu i tha zotit Blinken gjatë takimit të mërkurën se nuk do të pranonte asnjë marrëveshje që kushtëzonte lirimin e pengjeve me përfundimin e luftës në Gazë.
Kryeministri izraelit i tha Sekretarit Blinken se operacioni i planifikuar në qytetin Rafah do të vazhdojë me ose pa arritjen e një armëpushimi.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken u takua të mërkurën në Tel Aviv me të afërmit dhe mbështetësit e pengjeve izraelitë që ende mbahen nga Hamasi, një grup militant që cilësohet si terrorist nga Shtetet e Bashkuara.
Zoti Blinken e ka vizituar rajonin shtatë herë që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit të nxitur nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Ai po synon arritjen e një armëpushimi që do të çonte në lirimin e pengjeve dhe do të sillte një pauzë të luftës që ka lënë të vrarë rreth 35,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës që kontrollohet nga Hamasi.
Kryediplomati amerikan dhe shefi i ushtrisë izraelite vizituan të mërkurën kalimin “Kerem Shalom” në kufi me Gazën. Zoti Blinken tha se Izraeli kishte bërë lëshime të dukshme për të lejuar më shumë ndihma për palestinezët dhe arritjen e një armëpushimi. Ai tha se bota po pret që Hamasi ta pranojë marrëveshjen e ofruar.
“Hamasi duhet të vendosë nëse do ta pranojë këtë marrëveshje dhe të përmirësojë situatën për njerëzit në Gaza, për të cilët pretendon se kujdeset. Nuk ka kohë për vonesa”, tha zoti Blinken.
Por zoti Blinken i dha fund turneut në Izrael, Jordani dhe Arabinë Saudite pa njoftime për një armëpushim.
Vëzhguesit kanë pritur arritjen e një marrëveshje më të gjerë, që do të përfshinte normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite, ndoshta në këmbim të një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës në Gazë.
Kryeministri Netanyahu tha se nuk është i gatshëm t’i japë fund luftës për të arritur një marrëveshje për pengjet. Ai tha se sulmi i planifikuar ndaj qytetit Rafah, ku po strehohen të paktën 1 milion palestinezë, do të kryhet pavarësisht arritjes së një armëpushimi apo jo. Analisti Brian Katulis i tha Zërit të Amerikës se zoti Blinken nuk ka qenë në gjendje të bëjë përparime.
“Pengesa e vërtetë janë zërat brenda qeverisë së kryeministrit Netanyahu, që kundërshtojnë fuqishëm një shtet palestinez. Sauditët e kanë bërë të qartë se duan të shohin sa më parë arritjen e një armëpushimi në Gazë dhe angazhimin drejt ndërtimit të një shteti palestinez”.
Analisti Katulis tha se ishte në Arabinë Saudite javën e kaluar dhe se ka pasur shumë përparime për një marrëveshje ushtarake apo marrëveshje të tjera dypalëshe midis Uashingtonit dhe Riadit, por jo për një marrëveshje më të gjerë me Izraelin./VOA
Top Channel