Polonia kthen meshkujt ukrainas! Të shërbejnë në ushtri kundër Rusisë

25/04/2024 12:55

Polonia shprehet e gatshme t`i vijë në ndihmë Kievit duke kthyer në Ukrainë burrat ukrainas që plotësojnë kriterin e moshës për shërbim ushtarak.

Në këtë mënyrë, tha ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, ata mund të ndihmojnë vendin e tyre në luftën kundër Rusisë.

“Mendoj se shumë polakë janë të zemëruar kur shohin burra të rinj ukrainas në hotele dhe kafene, dhe dëgjojnë se sa shumë përpjekje duhet të bëjmë ne për të ndihmuar Ukrainën”, u shpreh ministër polak i mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz.

Qeveria ukrainase njoftoi një ditë më parë rregulla të reja  sipas të cilave, pasaportat për meshkujt që plotësojnë moshën për shërbimin ushtarak mund të lëshohen vetëm brenda vendit e jo në misionet e huaja diplomatike.

Në bazë të rregullave në fjalë, thotë Reuters, burrat e moshës nga 18 deri 59 vjeç që jetojnë jashtë vendit nuk do të mund të rinovojnë pasaportat të cilave u ka skaduar afati apo të marrin pasaporta të reja.

Polonia në të kaluarën ka sugjeruar se do të ndihmonte Ukrainën, në mënyrë që ata persona që janë subjekt i shërbimit ushtarak të kthehen në shtetin e tyre dhe ta kryejnë këtë detyrim. Sipas të dhënave të Eurostatit, gati 4.3 milionë ukrainas jetojnë në vendet e Baskimit Europian, dhe prej tyre, 860.000 janë burra në moshë madhore.

Top Channel