Ndalimi i zv.drejtorit të Policisë dhe zyrtarëve të tjerë nga serbët, reagon Kurti: Hakmarrje e Serbisë! U liruan katër prej tyre

18/04/2024 11:29

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për arrestimin e djeshëm të zyrtarëve policor të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se nga dhjetë të arrestuarit, pesë prej tyre janë liruar më herët dhe katër të tjerë u liruan tani. Ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq vazhdon të mbahet nga serbët. Ai është dërguar në paraburgim nën akuzën për prishjen e rendit kushtetues

Sipas Kurtit akti i ndalimit e arrestimit është akt hakmarrës me qëllim nxitjen e tensioneve.

“Dje pas kalimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Serbia u hakmor.  Dje ndaloi përmbi 20 orë qindra qytetarë tonë të cilët Serbinë e shfrytëzonin jo si destinacion por si tranzit, për t’u kthyer apo për të shkuar në Bashkimin Evropian. Në mesin e të ndaluarve dhe arrestuarve është edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq nga radhët e komunitetit joshumicë serb në Kosovë.

Veprimi i Serbisë është akt i ulët i hakmarrjes  ndaj Kosovës ndërkaq keqtrajtimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës po ashtu akt i shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut, lëvizjes së lirë dhe parimit të fqinjësisë së mirë. Me veprimin e djeshëm Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjesh duke përfshirë marrëveshjen e korrikut të vitit 2011, për lëvizje të lirë të qytetarëve, marrëveshjen e nëntorit të vitit 2022, për lëvizje të lirë me karta identiteti mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshjen bazike të shkurtit të vitit 2023 në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh dhe për fqinjësi të mirë.

Ndalimi dhe mbajtja arbitrare dhe e pabazë dhe keqtrajtimi i qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, vetëm e vetëm se e përdorin Serbinë si vend tranzit na risjell kujtimet e hidhura të Serbisë së Millosheviqit, duke na e rikujtuar kështu se ajo ngelet e njëjta ngase udhëhiqet nga një ish vartës i tij. Veprimi hakmarrës i Serbisë është edhe akt për nxitje të tensioneve sepse Serbisë nuk i konvenon normaliteti paqja e qetësia në rajon e sidomos në Kosovë”, tha Kurti në fillim të mbledhjes së qeverisë.

Top Channel