Mbledhja e parë pas referendumit! Kryetari i Zveçanit, Ilir Peçi takohet me drejtorët në godinë alternative

30/04/2024 14:59

Megjithatë edhe kjo seancë u vendos të mbahej në objektin alternativ në fshatin Lipë, pasi sipas kryetarit, Ilir Peci mbledhja ishte thirrur një javë më parë e sipas zëvendësministrit të Pushtetit Lokal, objekti nuk ishte gati për seancë.

“Arsyeja pse sot nuk është mbajtur është thjeshtë e natyrës teknike, nuk është adoptuar salla për të akomoduar asamblistët dhe nuk ka ende kushte për tu mbajtur mbledhja. Aty janë të vendosur zyrtarët e MPB-së”, tha Arbër Vokrri, zëvendësministër, MAPL.

Pas seancës së Kuvendit, Kryetari i Zveçanit, vizitoi objektin komunal së bashku me zëvendësministrin.

Kryetari tha se të gjitha drejtoritë janë zhvendosur në objektin zyrtar.

 “Aty janë thuajse të gjithë zyrtarët që janë vendosur që një javë, puna po u shkon mirë”, u shpreh Ilir Peci.

Nga MAPL thonë se siguria është në nivel në të gjitha komunat në veri, në mënyrë që zyrtarët të kryjnë punën e tyre.

 “Godinat komunale janë të siguruar, aty prej fillimit është vendosur policia, ka qenë edhe KFOR-i dhe tani janë duke u përgatitur për të akomoduar zyrtarët komunal dhe nuk ka ndonjë problem nga aspekti i sigurisë”, tha Arbër Vokrri.

Të premten e shkuar, për herë të parë që nga marrja e mandatit, Kuvendi Komunal i Zubin Potokut mbajti mbledhje në objektin zyrtar.  Kryetarët e katër komunave të veriut u zgjodhën më 23 prill të vitit 2023, pas bojkotit të procesit zgjedhor nga serbët që janë shumicë.  Iniciativa për shkarkimin e tyre dështoi pasi serbët bojkotuan procesin e votimit më 21 prill të këtij viti.

Top Channel