Fiks Fare/ “Na janë djegur frigoriferët e lavatriçet, pajisjet e tjera s’punojnë”, banorët e fshatit në Borsh prej vitesh me tension 120 volt, ja si përgjigjet OSSH

17/04/2024 20:40

Banorët e lagjes Dushk në Borsh prej vitesh kanë problem me tensionin e ulët të energjisë elektrike. Prej më shumë se 4 vitesh ata furnizohen me një tension të ulët prej 120 volt. Kjo vjen si rezultat pasi fshati nuk ka transformator.

Kjo situatë ka sjell tek këta banorë dëmtimi në pajisjet e tyre elektroshtëpiake. Banorët shprehen për Fiksin se u janë djegur frigoriferët dhe lavatriçet kurse pajisjet e tjera as që punojnë fare prej tensionit shumë të ulët. Kjo bën që zonjat e këtij fshatit punët e shtëpisë t’i bëjnë si njëherë e një kohe dhe rrobat i lajnë me dorë.

Madje tensioni është aq i ulët sa ata shprehen se gjatë sezonit turistik nga  qershori deri në tetor mbrëmjeve ndezin qirinj.

Gazetarët vizituan disa nga shtëpitë e qytetarëve që ankoheshin ku panë se orenditë e djegura janë të shumta dhe se shumica prej tyre janë kthyer në tavolina dhe dollapë për të mbajtur rroba. Banorët treguan se ju është thënë se do bëhet një ndërhyrje në këtë zonë por deri  më sot  nuk ka pasur asnjë reagim.

Banorët tregojnë se në vitin 2013 ka qenë një projekt për vënien e transformatorëve të rinj i cili edhe është miratuar dhe u lëvrua fondi, por që  nuk dinë se ku shkuan lekët, pasi transformatorët në fshat nuk u vunë.

Fiks Fare u interesua pranë OSSH-së qëndrore për problemin e banorëve të lagjes Dushk në Borsh.

OSSH  në përgjigjen e saj  bëri me dije se Drejtoria e tyre Rajonale në Gjirokastër është njohur me problemin e këtyre banorëve, pas ankesave që ata kanë depozituar dhe ka hartuar një projekt elektrikë që do të zgjidhë problemin e furnizimit me energji elektrike të banorëve të lagjes Dushk.

Projekti ka marrë miratimin nga OSSH qëndrore dhe do të nisë investimi. Investimi kap vlerën prej 250 mijë eurosh.

Punimet priten që të përfundojnë brenda muajit Prill të vitit 2024. Investimi parashikon shtrimin e 1 km linje të tensionit të mesëm, ngritja e një gabinë të re elektrike dhe pajisje me transformator.

Gjithashtu do të vendosen shtylla të reja dhe rrjetë i ri kabllor, pra rrjeti i ri do të shkojë në çdo banesë të Dushkut.

 

 

 

 

 

FOTO GALERI
1/5

Top Channel