Çelet një kapitull i ri për ndërkombëtarizimin e universiteteve, falë marrëveshjes së firmosur sot në Vjenë ndërmjet Ministrive të Arsimit dhe të Bujqësisë së Shqipërisë dhe Austrisë
Vjenë, 16 Prill – Memorandum historik për modernizimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës me standardet e Universitetit BOKU të Vienës, një gur kilometrik për transformimin dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare. Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, së bashku me Ministren e Bujqësisë Anila Denaj firmosën me homologët austriakë, Ministrin Federal të Arsimit, Shkencës, Kërkimit Shkencor Martin Polaschek dhe Ministrit Federal të Bujqësisë Norbert Totschnig marrëveshjen që jetëson projektin ambicioz UBT2030, për transformimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, sipas modelit europian të Universitetit të Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës BOKU të Vienës.
“Sot shënojmë një moment historik me nënshkrimin për herë të parë të një marrëveshjeje të tillë mes ministrive të Arsimit dhe Bujqësisë të dy vendeve tona, me qëllim për të transformuar dhe modernizuar Universitetin e Bujqësisë të Tiranës, duke standardizuar kurrikulën, përmirësuar kërkimin shkencor, themeluar programe të përbashkëta, me synim diplomat dyfishe me Universitetin BOKU të Vjenës, si rezultat final i kësaj marrëveshjeje”, tha Manastirliu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit e konsideroi këtë marrëveshje si shumë të rëndësishme në kuadër të ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare, duke theksuar se është hera e parë që ndërmerret një reformë tërësore në një universitet publik në vend, duke synuar ndryshimin total të arkitekturës aktuale të programeve mësimore dhe kërkimit shkencor.
“Kjo marrëveshje është një model i ri që do të aplikohet si një mjet për të pasuruar ofertën akademike në Shqipëri. Duke riformatuar dhe modernizuar programet tona të studimit, synojmë të rrisim interesimin e studentëve dhe tërheqjen e studentëve ndërkombëtarë”, tha Manastirliu.
“Kjo marrëveshje përcakton kuadrin e politikave për një projekt mjaft ambicioz bashkëpunimi midis Universitetit BOKU të Vjenës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës”, tha Ministri Federal i Arsimit, Shkencës dhe Kërkimit Shkencor të Austrisë Prof. Martin Polaschek, në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, të organizuar në Ministrinë e Arsimit të Austrisë.
“Është një mundësi fantastike për të gjithë të rinjtë dhe të rejat shqiptare, të cilët duan të studiojnë në këtë fushë, për të kontribuar në zhvillimin ekonomik, por njëkohësisht për të krijuar një potencial të ri në atë që është politikëbërja”, tha Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj pas në shkrimit të marrëveshjes.
“Ky është një tjetër hap për të mbështetur Shqipërinë në procesin e saj të integrimit në BE”, tha Norbert Totschnig, Ministër Federal i Bujqësisë i Austrisë.
Marrëveshja e firmosur sot në Vjenë i hap rrugën reformimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës sipas standardeve të Universitetit BOKU të Vjenës, një prej universiteteve më të mira europiane në fushën e zhvillimit bujqësor, ushqimit dhe mbrojtjes së mjedisit.
Për UBT do të fillojë një proces transformimi rrënjësor, duke nisur nga rishikimi i programeve, kurrikula, trajnimi i stafit akademik, tek hapja e mundësive të reja të kërkimit shkencor dhe invacionit.
Në 4 vite synohet të përmbushet transformimi i plotë i Universitetit Bujqësor në parametrat e BOKU, për ta kthyer UBT në një qendër ekselence për rajonin. Marrëveshja mbështet transformimin e UBT me financim rreth 3 mln euro, ku përmes programit të ndërkombëtarizimit, qeveria shqiptare do të financojë 1,9 mln euro.
Katër objektivat kryesorë të këtij memorandumi janë: Programe studimi si universitetet europiane; Nivel i ri i kërkimit shkencor; Transferimi i njohurive dhe transformimi i UBT në një qendër ekselence për rajonin.
Me këtë marrëveshje synohet reformimi total i ofertës akademike për të ofruar programe studimi ndërkombëtare dhe të orientuara nga tregu i punës; Programe master në gjuhën angleze të njëjta me Universitetin BOKU; Shkëmbimin e profesorëve dhe studentëve; riorganizimin e njësive të kërkimit shkencor; digjitalizimin; ndërkombëtarizimin e programeve të studimit si dhe riorganizimin institucional të UBT sipas përvojës së BOKU.
Top Channel