Trafik kokaine me mbi 100 mijë euro fitim në muaj, shkatërrohet banda kriminale në Itali, ‘koka’ e grupit një 32-vjeçar shqiptar 

19/03/2024 09:56

Një operacion policor, i koordinuar nga DDA, çoi në arrestimin e nëntë personave, të akuzuar si pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikimin e kokainës në Rozzano të Italisë.

Aktiviteti hetimor i kryer nga i Policisë së Milanos nisi pas arrestimit të një shtatëmbëdhjetë vjeçari në mars 2021. Por pjesa më e rëndësishme e hetimit u zhvillua nga Krishtlindjet 2021 deri në mesin e Marsit 2022.

Në pak më pak se tre muaj, policia ka mbledhur elementë për të rindërtuar rolet, detyrat, dinamikën e shpërndarjes së drogës , shpeshtësinë e furnizimeve dhe dozat mesatare të shitura, nga 400 në 500 në ditë.

Nga sa është konstatuar, të dyshuarit shisnin afërsisht 6 kilogramë e gjysmë kokainë, të ndarë në më shumë se 25 mijë doza, me një fitim prej gati 310 mijë eurosh.

Sipas asaj që u rikonstruktua gjatë hetimeve nga agjentët, në krye të grupit ishte një shtetas shqiptar 32-vjeçar, me precedentë penalë, i cili çdo dy ditë shkonte me kushëririn e tij në Rozzano për të takuar njerëz të besuar.

Sipas mediave italiane, në një nga këto ‘vizita’, ka marrë një sasi të papërpunuar prej 150 gram dhe ia ka dorëzuar kushëririt të tij i cili ka shkuar në banesën e një personi tjetër të besuar, ku e ka përgatitur atë gati për shitje.

Në disa raste, të dokumentuara nga policia, paketimi ndodhte në shtëpinë e një 56-vjeçari tjetër italian, me disa precedentë penal. Në përfundim të ambalazhit, në vendngjarje kanë dalë dy persona, një italo-shqiptar 24 vjeç dhe një djalë rumun 21 vjeç.

Top Channel