Situatë e rënduar e gripit në vend/ Shifra të larta për të infektuarit me viroza, problem edhe fruthi! Numrin më të lartë e mban Tirana

07/03/2024 12:14

Pëson një tjetër rënie kurba e infeksioneve respiratore ndonëse mbetemi ende në shifra të larta të rasteve të infektuara me grip e viroza të shumta.

Në javën e 9 të vitit janë raportuar 14 mijë e 927 persona të prekur. Por krahasuar me pikun ku raportimet ishin në 17 mijë e 600 raste të infektuara në këtë periudhë jemi gati 2000 raste më pak por situata është më e rënduar se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Mjekët e shpjegojnë këtë situatë me agresivitetin e virusit të gripit që qarkulloi këtë vit ku pas pandemisë së COVID predominoi më shumë se sa koronavirusi.

Madje në disa qytete si Durrësi, Elbasani, Përmeti, Gjirokastra, Kukësi, Mirdita, Peqini kanë më shumë raste të infektuara këtë javë se sa një javë më parë.

Ndërsa në Tiranë ka një rënie të lehtë edhe pse Tirana ka numër shumë  më të madh të popullatës. Por ndërkohë edhe virusi i fruthit po rritet. Të paktën kështu raportohet nga shifrat që bën publike Instituti i Shëndetit Publik.

Nga 140 fëmijë që janë dyshuar për fruth kanë rezultuar të prekur 34, nga të cilët 20 prej tyre kanë pasur nevojë të shtrohen në spital dhe 14 e kanë kaluar atë në kushte shtëpie.

Numrin më të lartë të fëmijëve të prekur nga fruthi e mban Tirana ku janë diagnostikuar 21 fëmijë e më pas vjen Durrësi i cili ka një incidencë të lartë me 4.7 raste për 100 000 banorë.

Top Channel