Emrat/ Dhunon 37-vjeçarin dhe më pas tenton të rrëmbejë të miturin, arrestohet një shqiptar në Greqi! Si ndodhi ngjarja

06/03/2024 12:06

Një sherr mes shqiptarësh për motive ende të paqarta ka përfunduar në tentativë për rrëmbimin e një të mituri në Zakynthos të Greqisë.

Policia greke ka marrë një telefonatë ditën e djeshme rreth orës 16:31, për një debat mes disa personave në rrugën “Yfantourion”, në Zakynthos. Pasi shkuan në vendngjarje efektivët e policisë ndaluan shtetasin Artur Sakaj, 37 vjeç nga Patosi, drejtues i mjetit “Fiat” me targa ZAE1936, e cila kishte xhamat e thyer.

Gjatë marrjes në pyetje në vendngjarje, ai ka deklaruar se përballë farmacisë që ndodhet aty pranë, shtetasi Arian Rrapaj, 41 vjec, i ka bllokuar rrugën me automjetin e tij dhe pasi e ka fyer nga brenda mjetit, ka dalë menjëherë dhe duke iu afruar, ka thyer xhamat anësore dhe të pasme të mjetit të tij dhe e ka goditur me qytën e pistoletës në pjesën e pasme të kokës.

Sakaj ka reaguar me një mistri ndërtimi që kishte në makinë dhe ka goditur Rrapajn në kokë, ndërsa kapi pistoletën dhe e hodhi. Nga një hetim dhe mobilizimi i menjëhershëm i policisë, Arian Rrapaj u lokalizua së bashku me vëllanë e tij Arben Rrapaj, 48 vjeç, në shtëpinë e shtetases E. Sakaj, 39 vjeçe, bashkëshortja e vëllait të Artur Sakajt.

Vëllezërit Rrapaj dëmtuan një automjet tjetër të Artur Sakajt, i cili ishte i parkuar jashtë shtëpisë, më pas hynë në shtëpi kundër dëshirës së kunatës së tij, duke kërkuar bashkëshortin e saj, i cili ndodhej jashtë Zakynthos dhe me nxitjen e saj për t’u larguar nga shtëpia, ata me forcë kanë kapur fëmijën e saj të mitur për ta marrë me vete, por kjo nuk është bërë e mundur për shkak të mbërritjes së policisë.

Nga hetimet në vendin e ngjarjes fillestare si dhe rreth tij në një zonë të treguar nga Artur Sakaj, nuk u gjet asnjë armë zjarri apo prova të tjera në lidhje me të, as nuk u konfirmua nga dëshmia e një personi të tretë. Të plagosurit Arian Rrapaj dhe Artur Sakaj janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Rrapaj po trajtohet për masa paraprake në Spitalin e Zakynthos.

Top Channel